PISA 2025: Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor në matematikë, por mbetet larg OECD-së
Rezultatet e nxënësve shqiptarë janë përmirësuar ndjeshëm në krahasim me 2022, por OECD paralajmëron për kufizime në kampionim dhe nuk konfirmon zyrtarisht trendin
Shqipëria renditet në krye të Ballkanit Perëndimor në matematikë dhe shkencë në testin PISA 2025, por pavarësisht rezultateve më të mira në rajon, nxënësit shqiptarë vijojnë të jenë dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së.
Sipas raportit më të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Shqipëria mori 433 pikë në matematikë, 435 në shkencë dhe 408 në lexim. Mesatarja e OECD-së ishte përkatësisht 463, 482 dhe 461 pikë.
Hendeku është 30 pikë në matematikë, 47 në shkencë dhe 53 pikë në lexim. Kjo e fundit mbetet fusha ku nxënësit shqiptarë kanë performancën më të dobët në raport me standardin e OECD-së.
PISA 2025 përfshiu më shumë se 760 mijë nxënës 15-vjeçarë në 91 vende dhe ekonomi. Shkenca ishte fusha kryesore e vlerësimit, krahas matematikës dhe leximit, ndërsa cikli përfshiu edhe një vlerësim të ri mbi të nxënit në botën digjitale.
Shqipëria në krye të Ballkanit Perëndimor në matematikë
Në matematikë, Shqipëria rezulton me pikët më të larta ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në testim.
Shqipëria shënoi 433 pikë, e ndjekur nga Serbia me 417, Mali i Zi me 411, Maqedonia e Veriut me 380 dhe Kosova me 350 pikë. Bosnja dhe Hercegovina nuk mori pjesë në PISA 2025.
Edhe në shkencë, Shqipëria është në krye të grupit, me 435 pikë, po aq sa Mali i Zi. Serbia shënoi 429 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut 378 dhe Kosova 357 pikë.
Në lexim, megjithatë, renditja ndryshon. Mali i Zi me 418 pikë dhe Serbia me 415 pikë dalin përpara Shqipërisë, e cila mori 408 pikë. Maqedonia e Veriut shënoi 357 pikë, ndërsa Kosova 340.
Në një krahasim më të gjerë rajonal, Kroacia dhe Sllovenia mbeten mbi Shqipërinë në disa prej treguesve kryesorë. Greqia, ndërkohë, ishte shumë pranë Shqipërisë në shkencë, me 434 pikë, ndërsa në lexim mori 423 pikë. Në matematikë, Shqipëria e kaloi Greqinë me 9 pikë.
Vetëm 1.9% arrijnë rezultatet më të larta
Pavarësisht pozicionit relativisht të mirë në rajon, të dhënat tregojnë një hendek të konsiderueshëm mes nxënësve shqiptarë dhe atyre të vendeve të OECD-së.
Vetëm 1.9% e nxënësve shqiptarë rezultuan ndër performuesit më të mirë në të paktën një nga tri fushat kryesore, kundrejt 11.9% në OECD.
Në anën tjetër, 27.8% e nxënësve shqiptarë rezultuan nën Nivelin 2 në të tria fushat, krahasuar me 19.7% në OECD. Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e 15-vjeçarëve nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të matura nga PISA.
Vajzat më mirë në shkencë dhe lexim
Rezultatet nxjerrin në pah edhe diferenca gjinore.
Në shkencë, vajzat shqiptare morën mesatarisht 443 pikë, kundrejt 426 pikëve të djemve. Diferenca është edhe më e madhe në lexim, ku vajzat shënuan 423 pikë dhe djemtë 391.
Në matematikë, situata përmbyset. Djemtë morën 435 pikë, ndërsa vajzat 431, një diferencë prej vetëm katër pikësh.
Nga rënia e 2022 te rikthimi pranë rezultateve të 2018
Në pamje të parë, ndryshimi nga PISA 2022 është i jashtëzakonshëm. Shqipëria kishte marrë atëherë 368 pikë në matematikë, 358 në lexim dhe 376 në shkencë.
Në vitin 2018, rezultatet kishin qenë 437 pikë në matematikë, 405 në lexim dhe 417 në shkencë. Kjo do të thotë se rezultatet e 2025 janë vetëm 4 pikë nën nivelin e vitit 2018 në matematikë, 3 pikë mbi të në lexim dhe 18 pikë më të larta në shkencë.
Megjithatë, këtu hyn në lojë një kufizim i rëndësishëm. OECD nuk e konsideron të mundur raportimin zyrtar të trendit 2022-2025 për Shqipërinë për shkak të problemeve me kampionimin.
Norma e pjesëmarrjes së shkollave shqiptare ishte vetëm 76%. Shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikueshëm për PISA nuk u kontaktuan dhe, sipas OECD-së, këto shkolla kanë gjasa të jenë të përqendruara në mënyrë disproporcionale në zona rurale dhe me kushte më të pafavorshme socio-ekonomike.
Për këtë arsye, Shqipëria është vendosur në kategorinë e vendeve me “raportim të kufizuar”. OECD vëren se boshllëku në mbulimin e kampionit nuk mund të korrigjohet plotësisht përmes procedurave statistikore.
Organizata jep edhe një skenar alternativ, sipas të cilit rezultati mesatar i Shqipërisë në shkencë mund të ishte deri në 428 pikë, në vend të 435 pikëve të raportuara.
Edhe rezultatet e vitit 2022 kishin kufizime në interpretim. OECD kishte vënë në dukje atëherë se nxënësit shqiptarë kishin treguar më pak përpjekje gjatë testimit krahasuar me vitin 2018 dhe kishte indikacione se një pjesë e tyre nuk ishin angazhuar seriozisht me testin dhe pyetësorin.
Përmirësim i dukshëm, por jo ende një histori suksesi
PISA 2025 e vendos Shqipërinë në një pozicion relativisht të fortë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në matematikë dhe shkencë. Megjithatë, rezultati nuk mund të interpretohet thjesht si një histori suksesi.
Hendeku me mesataren e OECD-së mbetet i madh, veçanërisht në lexim, ndërsa numri i nxënësve që nuk arrijnë nivelin bazë është ende i lartë.
Në të njëjtën kohë, kufizimet e kampionimit bëjnë që përmirësimi i madh në raport me vitin 2022 të mos mund të konfirmohet zyrtarisht si trend nga OECD. Të dhënat tregojnë megjithatë se rezultatet e maturuara në vitin 2025 janë kthyer pranë niveleve të vitit 2018, duke e lënë sfidën kryesore te përmirësimi i qëndrueshëm i cilësisë së arsimit dhe ngushtimi i hendekut me vendet e OECD-së.