“Imazhe tronditëse”, krerët e BE-së dënojnë funeralin e Mlladiqit: Serbia përballet me presion të ri
Von der Leyen dhe Costa kritikojnë praninë e zyrtarëve serbë në ceremoninë e kriminelit të dënuar për gjenocid, ndërsa Brukseli paralajmëron pasoja për rrugën e Serbisë drejt BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, kanë dënuar ashpër funeralin e Ratko Mlladiqit në Beograd, duke e cilësuar praninë e zyrtarëve të lartë serbë në ceremoni si një zhvillim “thellësisht për të ardhur keq”.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën në mëngjes, dy drejtuesit e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian reaguan ndaj pamjeve nga ceremonia e varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska.
“Imazhet nga funerali i Ratko Mlladiq dje në Beograd ishin tronditëse”, shkruan von der Leyen dhe Costa, duke theksuar se Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar dhe përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata kujtuan gjithashtu se Mlladiq vdiq ndërsa po vuante dënimin e përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime të tjera. Sipas tyre, prania e zyrtarëve të lartë serbë dhe elementet e mbështetjes zyrtare në funeral janë në kundërshtim me procesin e përballjes me të kaluarën.
Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq në fund të gushtit në moshën 84-vjeçare, në një qendër paraburgimi të OKB-së në Hagë. Pas vdekjes, trupi i tij u transportua në Beograd me avion të Qeverisë së Serbisë, ndërsa në ceremonitë e organizuara në kryeqytet morën pjesë zyrtarë të lartë serbë dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe.
Funerali u shoqërua edhe me nderime ushtarake, ndërsa arkivoli i Mlladiqit ishte mbështjellë me flamurin serb. Më shumë se 1.000 persona u mblodhën përpara Kishës së Shën Lukës në Beograd, ndërsa mes të pranishmëve ishin edhe pesë ministra të Qeverisë serbe, sipas Ministrisë së Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës.
Reagimi i Brukselit vjen pas një përplasjeje të fortë rreth mënyrës se si institucionet evropiane e vlerësuan ceremoninë. Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, kishte deklaruar të hënën se nuk ishte zhvilluar një funeral me nderime shtetërore, deklaratë që shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Sarajeva.
Ministria e Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës e akuzoi Komisionin për minimizim të ngjarjes, duke vënë në dukje praninë e pesë ministrave serbë, nderimet ushtarake dhe transportimin e trupit me avion qeveritar.
Ndërkohë, çështja po lidhet gjithnjë e më shumë me procesin e integrimit evropian të Serbisë. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi dhe më herët e kishte cilësuar funeralin një “provë të rëndësishme” për angazhimin e Beogradit në procesin e anëtarësimit në BE.
Në korrik, përpjekjet për të avancuar procesin e negociatave me Serbinë u përballën me kundërshtimin e tetë shteteve anëtare, të cilat ngritën shqetësime lidhur me sundimin e ligjit dhe mospërputhjen e Beogradit me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Tashmë, deklarata e von der Leyen dhe Costës e ngre në nivel institucional përplasjen për glorifikimin e Mlladiqit. Mesazhi i Brukselit është se përballja me krimet e së kaluarës dhe respektimi i vlerave evropiane mbeten pjesë e pandashme e rrugës së Serbisë drejt anëtarësimit.
Një diplomat i BE-së i tha Euronews, në kushte anonimiteti, se pas glorifikimit të Mlladiqit, hapja e Grupit 3 të negociatave me Serbinë është “krejtësisht jashtë diskutimit për momentin”.
Në një zhvillim tjetër politik, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat pritet të zhvillohen në fund të tetorit.