Spezzano Albanese vishet kuq e zi, Parada Arbëreshe rikthen traditat shqiptare në rrugët e qytetit

Spezzano Albanese vishet kuq e zi, Parada Arbëreshe rikthen traditat shqiptare në rrugët e qytetit

Rrugët e Spezzano Albanese në Itali u kthyen në një skenë të traditës arbëreshe, me kostume popullore, muzikë dhe ngjyra që sollën në vëmendje lidhjen e komuniteteve arbëreshe me rrënjët shqiptare.

Në Paradën Arbëreshe morën pjesë grupe artistike nga disa komuna arbëreshe, së bashku me përfaqësues të komunave shqiptare në rajon. Kostumet tradicionale, këngët, muzika dhe elementet e trashëgimisë kulturore përcollën tradita që janë ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi.

Aktiviteti shërbeu edhe si një pikë takimi për komunitetet arbëreshe, duke rikthyer në qendër historinë dhe identitetin e tyre, të ruajtur ndër shekuj larg trojeve shqiptare.

Gjuha arbëreshe, veshjet, zakonet dhe traditat muzikore mbeten pjesë e kësaj trashëgimie, e cila vijon të përcillet edhe te brezat e rinj përmes aktiviteteve kulturore.

Në organizimin dhe promovimin e aktivitetit u angazhuan Franco Calimà dhe Expo Arbëria, të vlerësuar për kontributin në promovimin dhe ruajtjen e kulturës arbëreshe.

Parada shërbeu gjithashtu si një mundësi për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve arbëreshe në Itali dhe institucioneve shqiptare. Në këtë kuadër, përmes CulturALB dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synohet vijimi i nismave për ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie.

Nga rrugët e Spezzano Albanese, tradita arbëreshe u shfaq edhe një herë si një urë mes historisë, identitetit dhe brezave të rinj.

Prev Post

Europa kërkon alternativë ndaj SHBA-së…

Next Post

Një magnetizëm i ri në…

post-bars

Leave a Comment