Inflacioni zbret në 3.2%, por çmimet vijojnë të rriten
INSTAT raporton një ngadalësim të lehtë të inflacionit në gusht, nga 3.4% në korrik. Për të tretin muaj radhazi, rritja e çmimeve mbetet mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni shënoi një rritje vjetore prej 3.2% në gusht, duke u zbutur lehtë krahasuar me nivelin 3.4% të regjistruar një muaj më parë. Pavarësisht frenimit, çmimet vijojnë të rriten mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar muajin e tretë radhazi mbi këtë nivel.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se presioni kryesor mbi çmimet vijon të vijë nga ushqimet dhe transporti, ndërsa kostot e lidhura me banesën dhe energjinë kanë dhënë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm.
Transporti, rritja më e fortë e çmimeve
Në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, grupi që ka regjistruar rritjen më të madhe është “Transporti”, me 12%. Pas tij renditen “Argëtim, sport dhe kulturë” me 5.4%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.6%, si dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 3.7%.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 2.8%, po aq sa edhe çmimet e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së banesës.
Në rritje kanë qenë gjithashtu çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit, me 2.4%.
Në kahun tjetër, disa kategori kanë regjistruar ulje. Çmimet e veshjeve dhe këpucëve ranë me 3.2%, ndërsa grupi i informacionit dhe komunikimit u ul me 1%.
Ushqimet japin kontributin më të madh
Sipas INSTAT, ushqimet dhe pijet joalkoolike kanë dhënë kontributin më të madh në inflacionin e gushtit, me 0.95 pikë përqindje.
Pas tyre vjen transporti me 0.79 pikë përqindje, ndërsa grupi i qirasë, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve ka kontribuar me 0.76 pikë përqindje.
Kontribute më të vogla pozitive kanë dhënë edhe mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë, restorantet dhe akomodimi, pijet alkoolike e duhani, kujdesi personal, argëtimi, arsimi, sigurimet dhe shërbimet financiare, si dhe shëndeti.
Në të kundërt, rënia e çmimeve të veshjeve dhe këpucëve ka zbritur inflacionin me 0.12 pikë përqindje, ndërsa informacioni dhe komunikimi me 0.04 pikë përqindje.
Banka e Shqipërisë mban normën në 2.5%
Pavarësisht presioneve të shtuara mbi çmimet, Banka e Shqipërisë vendosi në fillim të gushtit të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e lënë atë në 2.5%.
Guvernatori Gent Sejko deklaroi se rritja e inflacionit është ndikuar nga efektet direkte dhe indirekte të shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, por edhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra dhe shërbime.
Sipas tij, inflacioni pritet të mbetet në periudhën afatshkurtër pranë, por mbi objektivin e bankës qendrore, përpara se të nisë një zbritje graduale drejt 3%-shit në periudhën afatmesme.
Edhe Eurozona përballet me presion mbi çmimet
Presionet inflacioniste nuk janë vetëm një problem shqiptar. Në Eurozonë, inflacioni u përshpejtua në gusht në 3.3%, ndërsa rritja e kostove të energjisë po shton pasigurinë mbi trajektoren e çmimeve.
Tregjet financiare po vlerësojnë mundësinë e një tjetër rritjeje të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane, në mbledhjen e 10 shtatorit.
Kështu, ndërsa në Shqipëri norma bazë mbetet e pandryshuar, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe veçanërisht çmimet e energjisë mbeten një faktor kyç për ecurinë e inflacionit në muajt në vijim.