Shqiptarët po largohen sërish më shumë: 69 mijë leje qëndrimi në BE vetëm gjatë 2025-s

Shqiptarët po largohen sërish më shumë: 69 mijë leje qëndrimi në BE vetëm gjatë 2025-s

Emigrimi riktheu ritmin rritës pas rënies së vitit 2024. Puna dhe bashkimi familjar mbeten dy rrugët kryesore për të nisur një jetë të re në vendet e Bashkimit Europian

Emigrimi i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian ka marrë sërish një kthesë në rritje. Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë vitit 2025, shtetasit shqiptarë morën 68,653 leje të para qëndrimi në vendet e BE-së, rreth 4% më shumë se një vit më parë.

Shifra rikthen në vëmendje një prej problemeve më të mëdha demografike të Shqipërisë, në një kohë kur vendi po përballet njëkohësisht me rënien e popullsisë dhe me një numër gjithnjë e më të ulët lindjesh.

Pas një uljeje prej rreth 14% të lejeve të para të qëndrimit gjatë vitit 2024, 2025-a solli një rikthim të tendencës pozitive. Megjithatë, shifrat mbeten nën nivelet e viteve rekord të emigrimit të fundit.

Në vitin 2022, shtetasit shqiptarë morën rreth 79 mijë leje të para qëndrimi në BE, ndërsa në vitin 2023 shifra ishte rreth 77 mijë. Këto dy vite mbeten periudha me numrin më të lartë të lejeve të regjistruara për shqiptarët.

Emigrimi ndryshon formë

Një prej elementeve më domethënëse të të dhënave të fundit është mënyra se si shqiptarët po largohen nga vendi.

Ndryshe nga periudha kur emigrimi shqiptar lidhej në një masë të madhe me kërkesat për azil, vitet e fundit një pjesë e konsiderueshme e largimeve po realizohet përmes kanaleve të rregullta të migracionit.

Kjo lidhet veçanërisht me kontratat e punës, por edhe me bashkimin familjar.

Në vitin 2025, rreth 46.3% e lejeve të para të qëndrimit për shqiptarët u dhanë për arsye familjare, ndërsa 29.4% për punësim. Arsimi përbënte vetëm 0.8% të lejeve.

Pra, për shqiptarët që po nisin një jetë të re në BE, familja dhe puna janë dukshëm dy faktorët kryesorë.

Kjo tablo ndryshon nga ajo e një dekade më parë, kur numri i lartë i kërkesave për azil ishte një nga treguesit kryesorë të dëshirës për t’u larguar nga Shqipëria.

Pas vitit 2015, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë u rritën ndjeshëm, duke arritur në disa periudha deri në rreth 60 mijë aplikime në vit. Ndërsa sot kërkesat për azil janë ulur ndjeshëm, në rreth 15 mijë në vit, lejet e qëndrimit vazhdojnë të mbeten në nivele të larta.

Kjo sugjeron se emigrimi nuk është zhdukur, por ka ndryshuar kanalin përmes të cilit realizohet.

Shqipëria humbet banorë

Ndikimi i kësaj tendence është veçanërisht i ndjeshëm për një vend me një popullsi relativisht të vogël.

Sipas INSTAT, më 1 janar 2026 Shqipëria kishte 2,335,930 banorë. Në harkun e një viti, popullsia u tkurr me 1.16%.

Rënia e popullsisë nuk lidhet vetëm me emigrimin. Një rol gjithnjë e më të madh luan edhe rënia e lindjeve, duke krijuar një kombinim që e bën më të vështirë rikthimin e trendit demografik.

Më pak banorë do të thotë gjithashtu më pak njerëz në moshë pune, një bazë më e vogël konsumi dhe presion më i madh mbi skemat e pensioneve në të ardhmen.

Për tregun shqiptar të punës, kjo po shndërrohet në një problem konkret. Bizneset përballen me vështirësi për të gjetur punonjës në një numër sektorësh, ndërsa një pjesë e të rinjve që do të përbënin fuqinë punëtore të dekadave të ardhshme zgjedhin të ndërtojnë karrierën jashtë vendit.

Shqipëria në mesin e vendeve me më shumë leje qëndrimi

Një tjetër shifër e Eurostat e bën edhe më të dukshëm përmasën e emigrimit shqiptar.

Stoku i lejeve të qëndrimit të vlefshme për shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së arrin në rreth 875.1 mijë.

Në terma absolutë, Shqipëria renditet kështu mes 10 shtetësive që kanë numrin më të madh të lejeve të qëndrimit në BE.

Përpara saj janë vende me popullsi shumë më të mëdha, si Maroku me rreth 2.2 milionë leje, Turqia me 2 milionë, Ukraina me 1.7 milionë, Kina me rreth 1.2 milionë, Siria me 1.1 milionë dhe India me rreth 1 milion.

Në listë përfshihen gjithashtu Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia.

Krahasimi e nxjerr në pah peshën e veçantë të emigrimit shqiptar: një vend me vetëm rreth 2.3 milionë banorë brenda territorit të Shqipërisë ka qindra mijëra shtetas me leje qëndrimi në BE.

BE-ja lëshoi 3.9 milionë leje të reja gjatë 2025-s

Fenomeni nuk është vetëm shqiptar. Gjatë vitit 2025, vendet e Bashkimit Europian lëshuan rreth 3.9 milionë leje të para qëndrimi për shtetasit e vendeve jashtë BE-së.

Në krahasim me vitin 2024, numri u rrit me 10.1%, ose rreth 355 mijë leje.

Punësimi ishte arsyeja kryesore, me rreth 1.3 milionë leje, ose 33.6% të totalit. Pas tij vinin arsyet familjare me 28.1%, ndërsa 22.8% lidhej me arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare. Arsimi përbënte 15.5%.

Në rastin e Shqipërisë, megjithatë, pesha e bashkimit familjar është dukshëm më e lartë se mesatarja europiane.

Në vitin 2025, shtetasit ukrainas morën numrin më të madh të lejeve të para të qëndrimit në BE, me rreth 335 mijë. Pas tyre renditeshin shtetasit indianë me rreth 228 mijë dhe marokenët me rreth 202 mijë.

Në fund të vitit 2025, në vendet e BE-së rezultonin gjithsej 27.8 milionë leje qëndrimi të vlefshme për shtetas të vendeve jashtë Unionit.

Për Shqipërinë, megjithatë, shqetësimi kryesor nuk është vetëm numri i lejeve të dhëna gjatë një viti. Është ritmi i vazhdueshëm i largimit në një vend ku numri i banorëve po bie dhe ku lindjet nuk arrijnë të kompensojnë humbjen e popullsisë.

Nëse kjo tendencë vijon, emigrimi nuk do të mbetet vetëm një çështje sociale apo familjare. Ai do të ndikojë gjithnjë e më shumë në ekonominë shqiptare, fuqinë punëtore, konsumin dhe financimin e pensioneve.

Shqipëria po përballet kështu me një paradoks të fortë: ndërsa vendi ka nevojë për më shumë njerëz në tregun e punës, një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdon të zgjedhë të ardhmen jashtë kufijve.

Prev Post

Ronaldo në prag të historisë:…

Next Post

3 mijë apartamente për të…

post-bars

Leave a Comment