Gjermania dhe Austria kërkojnë kontroll europian mbi TikTok-un
Gjermania dhe Austria propozojnë që operacionet e TikTok-ut në Europë të kalojnë nën një strukturë pronësie europiane. Sipas përfaqësuesve të të dy vendeve, kjo do të ndihmonte në mbikëqyrjen e të dhënave të përdoruesve dhe të algoritmeve të platformës, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance.
Ministri gjerman i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretari austriak i Shtetit për Çështjet Digjitale, Alexander Pröll, u kanë bërë thirrje vendeve të tjera europiane t’i bashkohen nismës. Ata kanë përmendur shqetësimet për privatësinë dhe ndikimin që algoritmet mund të kenë te përmbajtjet që u shfaqen përdoruesve.
Propozimi vjen pas marrëveshjes së arritur në janar për operacionet e TikTok-ut në SHBA, ku parashikohet krijimi i një sipërmarrjeje të përbashkët me shumicë pronësie amerikane. Për Europën, Weimer ka hedhur më herët si mundësi krijimin e një konsorciumi me kompani mediatike europiane.
Nisma e Berlinit dhe Vjenës është ende një propozim politik. Ajo synon të hapë diskutimin për pronësinë dhe kontrollin e platformës në Europë, por nuk është bërë e ditur nëse ByteDance do të pranojë negociata për këtë çështje.