Sa kohë kalojnë shqiptarët online?

Sa kohë kalojnë shqiptarët online?

Për 37% të të anketuarve në Shqipëri, kjo është koha e zakonshme e përdorimit të internetit gjatë ditës. Një raport i Gallup-it gjen se përdorimi i rrjeteve sociale për dy orë ose më shumë lidhet me më shumë emocione negative, por nuk provon se platformat janë shkaku i tyre.

Të dhënat e Balkan Barometer 2025 tregojnë se intervali më i zakonshëm i përdorimit të internetit në Shqipëri është nga dy deri në tri orë në ditë. Këtë përgjigje e dhanë 37% e të anketuarve. Një tjetër 27% tha se kalon deri në një orë online, ndërsa 16% raportoi katër deri në pesë orë përdorim në ditë. Shtatë për qind deklaroi se qëndron në internet gjashtë orë ose më shumë, ndërsa 12% tha se nuk e përdor fare.

Në nivel rajonal, 40% e të anketuarve raportoi dy deri në tri orë përdorim në ditë, kundrejt 37% në Shqipëri. Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova shënuan përqindje më të larta për këtë interval, përkatësisht 43% dhe 49%. Të dhënat vijnë nga anketa e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e cila pyet për kohën e kaluar në internet, përfshirë përdorimin e rrjeteve sociale, shfletimin dhe blerjet online.

Kjo matje e përdorimit të përgjithshëm të internetit është e ndryshme nga studimi i Gallup-it, i cili u përqendrua posaçërisht te rrjetet sociale dhe mirëqenia emocionale. Raporti “State of the World’s Emotional Health 2026” përfshin anketa të zhvilluara në 97 vende, përfshirë Shqipërinë, nga marsi deri në gusht të vitit 2026. Gallup

Gallup i ndau përdoruesit në tri grupe: ata që nuk përdorin rrjete sociale ose kalojnë më pak se 30 minuta në ditë, përdoruesit e moderuar që shpenzojnë nga 30 minuta deri në më pak se dy orë, si dhe përdoruesit që qëndrojnë të paktën dy orë në ditë. Krahasuar me grupin e moderuar, ky i fundit raportoi më shumë emocione negative. Në shumë tregues, përdorimi i moderuar shoqërohej me mirëqenie më të lartë.

Raporti thekson se lidhja mes kohës në rrjete sociale dhe mirëqenies ndryshon sipas vendit dhe grupmoshës. Për të rinjtë 15–29 vjeç, lidhja mes përdorimit të platformave dhe vlerësimit të jetës ishte e vogël në shumicën e vendeve, ndërsa në Shqipëri u klasifikua si e ulët.

Gallup sqaron se rezultatet tregojnë lidhje statistikore, jo shkakësi. Studimi nuk përcakton nëse përdorimi më i gjatë çon në më shumë stres apo nëse personat që përjetojnë emocione negative priren të kalojnë më shumë kohë në rrjete sociale. Ai gjithashtu nuk mat platformat e përdorura, përmbajtjen që shohin pjesëmarrësit apo nëse përdorimi është problematik.

Prev Post

Shqipëria ka 22.7 mjekë për…

Next Post

16 artistë shqiptarë prezantojnë krijime…

post-bars

Leave a Comment