16 artistë shqiptarë prezantojnë krijime të reja në “Në të tashmen”
Art

16 artistë shqiptarë prezantojnë krijime të reja në “Në të tashmen”

Ekspozita kolektive e Galerisë Kombëtare të Arteve është hapur në HangArt-Kinostudio dhe mund të vizitohet deri më 15 nëntor. Punimet përfshijnë pikturë, skulpturë, fotografi, video, performancë dhe instalacion.

“Në të tashmen – Fondi i Krijimtarisë 2026” sjell para publikut vepra të reja të 16 artistëve shqiptarë. Projektet u përzgjodhën përmes një thirrjeje të hapur të shpallur këtë vit nga Galeria Kombëtare e Arteve, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Artistët janë ndarë në dy kategori: 10 krijues të afirmuar dhe gjashtë artistë të rinj. Pasi u përzgjodhën në korrik, ata punuan për disa muaj për të realizuar projektet që prezantohen në ekspozitë.

Në të marrin pjesë Jon Azizaj, Kristanja Çene, Fatlum Doçi, Gentian Doda, Ilir Kaso, Sead Kazanxhiu, Beskida Kraja, Aurela Kumanaku, Lori Lako, Blerina Muça, Matilda Odobashi, Remijon Pronja, Leonard Qylafi, Enza Rripaj, Endi Shani dhe Abi Shehu.

Punimet trajtojnë çështje të ndryshme të jetës bashkëkohore, nga mjedisi dhe migrimi te kujtesa, puna, identiteti dhe teknologjia. Ekspozita bashkon qasje e përvoja të ndryshme artistike, të zhvilluara si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj.

Përmes Fondit të Krijimtarisë, Galeria Kombëtare mbështet financiarisht prodhimin e veprave të reja dhe u krijon artistëve mundësi për t’i prezantuar ato para publikut. Ekspozita “Në të tashmen” është e hapur në HangArt-Kinostudio deri më 15 nëntor.

Prev Post

Sa kohë kalojnë shqiptarët online?

Next Post

37 vjet nga rënia e…

post-bars

Leave a Comment