Shqipëria ka 22.7 mjekë për 10 mijë banorë, rreth gjysmën e nivelit të BE-së
Shqipëria renditet ndër vendet me më pak mjekë për banor në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se vendi ka 22.7 mjekë për çdo 10 mijë banorë, sa 53% e mesatares së Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të wiiw të publikuara në platformën Converge2EU.
Në rajon, numri më i lartë i mjekëve për popullsi regjistrohet në Maqedoninë e Veriut, me 33.8 për 10 mijë banorë. Serbia ka 32.3, Mali i Zi 27.9, Bosnjë-Hercegovina 21.1, ndërsa Kosova 19. Kështu, Shqipëria është para vetëm dy vendeve të rajonit në këtë tregues.
Edhe në raport me mesataren e BE-së, vendet e rajonit paraqiten në nivele të ndryshme. Maqedonia e Veriut arrin në 79% të mesatares evropiane dhe Serbia në 76%. Mali i Zi është në 65%, ndërsa Shqipëria në 53%, Bosnjë-Hercegovina në 49% dhe Kosova në 44%.
Gjatë vitit 2025, të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor humbën terren kundrejt mesatares së BE-së për numrin e mjekëve. Shqipëria shënoi rënie prej 0.9 pikësh përqindjeje. Rënia ishte më e theksuar në Kosovë, me 3.8 pikë, dhe në Maqedoninë e Veriut, me 2 pikë. Mali i Zi humbi 1.1 pikë, Serbia 1 pikë dhe Bosnjë-Hercegovina 0.1 pikë.
Numri i mjekëve për banor është një prej treguesve të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, por nuk tregon i vetëm cilësinë apo sa lehtë marrin qytetarët shërbim. Megjithatë, diferenca me mesataren evropiane dhe me disa vende të rajonit nxjerr në pah sfidën e Shqipërisë për të pasur personel të mjaftueshëm për nevojat e popullsisë.