Dhjetë muze dhe hapësira kulturore parashikohet të rinovohen gjatë vitit 2027
Muze në Vlorë, Krujë, Vuno e Gjirokastër, si dhe institucione të tjera në disa qytete, janë përfshirë në fazën e ardhshme të Programit të Rrjetit të Muzeve. Plani parashikon restaurime, modernizim dhe krijimin e hapësirave të reja për prezantimin e trashëgimisë shqiptare.
Programi u prezantua këtë vit si bashkëpunim mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe ministrisë përgjegjëse për pushtetin vendor. Synimi është që muzetë dhe hapësirat ekzistuese të lidhen në një rrjet të përbashkët, me ekspozita dhe shërbime të përmirësuara për publikun.
Sipas ministrit Blendi Gonxhja, në vitin 2027 nisin ndërhyrjet në 10 objekte prioritare. Në listë janë Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, Muzeu Arbëresh në Vuno dhe Muzeu i Artit Bizantin në Gjirokastër.
Ndër projektet e planifikuara është edhe modernizimi dhe digjitalizimi i Muzeut Kombëtar Arkeologjik në Durrës. Puna do të përfshijë restaurimin e mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”. Ndërsa në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor synohet krijimi i një muzeu të hapur, ku vizitorët të njihen me historinë e institucionit dhe rolin e tij në artin shqiptar.
Në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos do të vijojë projekti për ndërtimin e një qendre multifunksionale. Investimi, me vlerë 6.2 milionë euro dhe financim nga Bashkimi Evropian përmes AICS, do të përfshijë edhe një hapësirë muzeore për interpretimin e trashëgimisë arkeologjike. Përfundimi dhe inaugurimi i qendrës parashikohen gjatë vitit 2027.
Paralelisht, në bashkëpunim me Trans Adriatic Pipeline (TAP), planifikohet zhvillimi i tri muzeve arkeologjikë në Korçë, Berat dhe Fier. Sipas ministrit Gonxhja, hapësirat e reja do të shërbejnë për ruajtjen dhe ekspozimin e gjetjeve, si dhe për t’i bërë ato më të kuptueshme për publikun. Nisma synon të zgjerojë ofertën kulturore të qyteteve dhe të mbështesë turizmin kulturor.
Përveç investimeve në godina dhe ekspozita, ministria ka njoftuar një fond prej 30 milionë lekësh në grante. Mbështetja do të ndahet për veprimtari kulturore, edukative e promovuese, si dhe për përmirësime të vogla infrastrukturore në muze.
Përmes këtyre projekteve, Programi i Rrjetit të Muzeve synon të sjellë më shumë vizitorë në institucionet e trashëgimisë dhe të forcojë ofertën kulturore edhe jashtë sezonit turistik.