Kalaja e Borshit hap një dritare të re drejt historisë së Rivierës
Punimet restauruese në Kalanë e Borshit kanë përfunduar, njoftoi Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ndërhyrjet u përqendruan te konsolidimi i strukturave fortifikuese, ruajtja e autenticitetit dhe evidentimi i vlerave historike e arkitektonike të monumentit, përfshirë Xhaminë e Haxhi Bendos.
Sipas njoftimit, punimet kanë ndihmuar edhe në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve për vizitorët. Ministria publikoi pamje nga kalaja e restauruar, me mesazhin: “Ruajmë trashëgiminë, promovojmë historinë”.
E njohur edhe si Kalaja e Sopotit, fortifikimi ndodhet mbi fshatin Borsh, pranë bregdetit të Jonit. Kalaja daton që nga antikiteti dhe muret e saj ndjekin gjurmët e një akropoli të lashtë. Ndër shekuj, ajo ka kaluar në disa faza rindërtimi, nga periudha e hershme bizantine deri në Mesjetën e vonë.
Kalaja përmendet në dokumente që nga fillimi i shekullit XIII, kur njihej si Sopotos. Për shkak të pozicionit të saj, ajo ka pasur rëndësi strategjike në kontrollin e zonës dhe të rrugëve tregtare. Gjatë historisë, fortifikimi kaloi nën sundime të ndryshme, përfshirë atë të despotatit të Epirit, anzhuinëve, venedikasve dhe osmanëve.
Në vitin 1431, një regjistër osman e përmend Sopotën si qendër të një nahijeje me 60 familje. Në shekullin XV, zona u përfshi në përplasjet mes osmanëve, venedikasve dhe forcave të tjera që vepronin në jug të Shqipërisë. Në vitin 1481, Gjon Kastrioti II zbarkoi nga Italia në Shqipërinë e Jugut dhe mori kalanë, por forcat e tij u tërhoqën disa vite më pas.
Brenda mureve të kalasë ruhen gjurmë të strukturave të ndryshme, përfshirë rrënoja ndërtesash dhe cisterna. Fortesa e brendshme ishte ndarë në dy pjesë nga një mur, ndërsa në periudha të mëvonshme iu shtuan edhe kulla trekëndore.
Në territorin e kalasë ndodhet Xhamia e Haxhi Bendos, e ndërtuar në shekullin XVII gjatë periudhës osmane. Sot, monumenti ndërthur historinë e gjatë me pamjet panoramike të detit Jon dhe fushës së Borshit, duke mbetur një pikë me interes për vizitorët e Rivierës Shqiptare.