Flamingot ndalen në Liqenin e Pogradecit gjatë shtegtimit
Flamingot janë kthyer në një pamje të veçantë në Liqenin e Pogradecit, ku ndalen përkohësisht gjatë shtegtimit të tyre sezonal. Sipas specialistit të zonave të mbrojtura Gani Bego, shpendët mbërrijnë kryesisht në vjeshtë dhe pranverë, ndërsa qëndrojnë nga disa ditë deri në një ose dy javë.
Bego thotë se flamingot vijnë kryesisht nga jugu i Evropës dhe Turqia. Pogradecin e përdorin si pikë pushimi përpara se të vijojnë drejt lagunave të Nartës dhe Divjakë-Karavastasë, ku kalojnë dimrin. Në këto grupe ka kryesisht individë të rinj.
Një nga arsyet që favorizon qëndrimin e tyre është tërheqja e nivelit të ujit. Në pjesën e liqenit nga ish-vila deri në Drilon, bregu ranor del në pah dhe krijon kushte për gjetjen e ushqimit. Sipas Begos, kjo ndodh pas mungesës së reshjeve gjatë verës, por mund të lidhet edhe me hapjen e portave në Strugë.
Ai shton se kjo zonë merr pamjen e një lagune të vogël, ku flamingot përshtaten dhe ushqehen. Prania e tyre mund të lidhet edhe me ndryshimet klimatike të viteve të fundit.
Përveçse i japin peizazhit të liqenit një pamje të veçantë, flamingot janë kthyer në një atraksion për turistët dhe vizitorët, të cilët ndalojnë përgjatë bregut për t’i fotografuar.