Kryeqyteti i Gjelbër i Europës/ Tirana mbetet jashtë garës

Kryeqyteti i Gjelbër i Europës/ Tirana mbetet jashtë garës

Zaragoza do të mbajë titullin “Kryeqyteti i Gjelbër Europian” në vitin 2028. Qyteti spanjoll u vlerësua për mbrojtjen e biodiversitetit, përdorimin e qëndrueshëm të tokës dhe përfshirjen e natyrës në zhvillimin urban. Për nismat mjedisore, do të përfitojë 600 mijë euro.

Njoftimi u bë gjatë një ceremonie në Guimarães të Portugalisë, qyteti që mban titullin për vitin 2026. Për vitin 2027 është përzgjedhur Heilbronn i Gjermanisë, ndërsa çmimi “European Green Leaf” për vitin 2028 iu dha Benidormit në Spanjë dhe Estarrejës në Portugali.

Në garën për titullin morën pjesë edhe Aalborgu në Danimarkë, Bielsko-Biała në Poloni, Košice në Sllovaki dhe Porto në Portugali. Një panel i pavarur ekspertësh vlerësoi cilësinë e ajrit dhe ujit, mbrojtjen e hapësirave të gjelbra, menaxhimin e mbetjeve e të zhurmave, si dhe përgatitjen e qyteteve ndaj temperaturave ekstreme dhe përmbytjeve.

Juria vlerësoi te Zaragoza planifikimin afatgjatë dhe masat për përballimin e sfidave klimatike. Qyteti ka hartuar një plan për infrastrukturën e gjelbër, që synon ta përfshijë natyrën në zhvillimin urban.

Ndërsa Zaragoza vlerësohet për politikat mjedisore, Tirana përballet me urbanizimin e shpejtë, dendësimin e ndërtimeve dhe ndotjen nga trafiku. Sipas një studimi shkencor të publikuar në vitin 2025, hapësirat e gjelbra zënë 11% të sipërfaqes së qytetit, ndërsa rreth 52% e territorit urban nuk mbulohet nga shërbimi i hapësirave të gjelbra të aksesueshme.

Monitorimi mjedisor i vitit 2025 nga projekti GreenAL rendit trafikun dhe aktivitetin e ndërtimit ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit dhe zhurmave në qytetet shqiptare, përfshirë Tiranën.

Tirana nuk mund të marrë pjesë në garën për titullin për sa kohë Shqipëria nuk është anëtare e programit LIFE të Bashkimit Europian. Shqipëria ende nuk është pjesë e programit, ndërsa Maqedonia e Veriut iu bashkua në vitin 2023 dhe Mali i Zi në vitin 2025.

Prev Post

Urgjenca mjekësore, Shqipëria synon reagimin…

Next Post

Kalaja e Borshit hap një…

post-bars

Leave a Comment