Tiranë, nënstacion i ri nëntokësor me vlerë 20 milionë euro

Tiranë, nënstacion i ri nëntokësor me vlerë 20 milionë euro

OSHEE Group ka nënshkruar kontratën me kompaninë kroate Dalekovod për ndërtimin e një nënstacioni të ri nëntokësor në qendër të Tiranës. Investimi, me vlerë rreth 20 milionë euro, synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike për më shumë se 40 mijë abonentë, ndërsa punimet parashikohet të zgjasin 22 muaj nga nisja e tyre.

Sipas projektit, nënstacioni do të ndërtohet me tre kate nëntokë dhe do të ketë kapacitet të instaluar prej 200 MVA. Ai do të pajiset me katër transformatorë nga 50 MVA secili, tri linja kabllore 110 kV dhe 24 fidera dalës 20 kV. OSHEE e cilëson atë si të parin e këtij lloji në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Projekti do të zëvendësojë nënstacionin ekzistues pranë sheshit Skënderbej, i cili ka një transformator me kapacitet 80 MVA dhe nuk disponon kapacitet rezervë. Ndërhyrja synon t’i përgjigjet kërkesës në rritje për energji në qendër të kryeqytetit, të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të reduktojë humbjet teknike në rrjet.

Financimi mbështetet në një kredi prej 22.5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me garanci shtetërore. Shuma është më e lartë se parashikimi fillestar prej rreth 14.5 milionë eurosh, ndryshim që BERZH e lidh me rritjen e kostove të lëndëve të para, përmirësimet teknike dhe kërkesat përfundimtare të projektit.

Prev Post

Kampionati i shpëtimit në ujë,…

Next Post

Shqipëria drejt sistemit të ri…

post-bars

Leave a Comment