Shqipëria drejt sistemit të ri të ambalazheve, qytetarët mund të marrin para për shishet e kthyera
Kthimi i shisheve dhe ambalazheve të pijeve mund të sjellë një përfitim të drejtpërdrejtë financiar për konsumatorët. Ministria e Mjedisit ka hedhur në konsultim publik një nismë për krijimin e një sistemi depozitimi dhe rimbursimi, sipas një modeli që përdoret prej vitesh në disa vende europiane.
Mekanizmi parashikon që blerësi të paguajë një depozitë kur blen një pije dhe ta marrë shumën mbrapsht pasi të dorëzojë ambalazhin në një pikë të autorizuar. Sisteme të tilla funksionojnë në vende si Gjermania, Kroacia, Rumania dhe Austria. Në Gjermani, për shembull, depozita për shumë shishe plastike dhe kanaçe njëpërdorimëshe është 25 cent.
Për zbatimin në Shqipëri parashikohet ngritja e një infrastrukture me makineri automatike për pranimin e ambalazheve, sisteme elektronike identifikimi dhe etiketa për gjurmimin e tyre. Kostot e ngritjes dhe funksionimit të sistemit do të mbulohen nga sektori privat, përmes prodhuesve, importuesve dhe operatorëve të tjerë ekonomikë.
Sipas relacionit shpjegues, periudha tranzitore për ngritjen e plotë të sistemit parashikohet të zgjasë deri më 31 dhjetor 2028. Megjithatë, disa elemente mbeten ende të papërcaktuara, përfshirë shumën që do t’u kthehet konsumatorëve, llojet përfundimtare të ambalazheve që do të përfshihen dhe mënyrën e organizimit të pikave të dorëzimit.
Nisma synon të rrisë grumbullimin dhe riciklimin e ambalazheve, duke u ofruar qytetarëve një nxitje financiare për të mos i hedhur ato me mbeturinat e zakonshme.