Kampionati i shpëtimit në ujë, gara që vë në provë aftësitë për të shpëtuar jetë
Shpejtësia, përgatitja fizike dhe aftësitë teknike u vunë në provë në Kampionatin Kombëtar të Shpëtimit në Ujë 2026, ku morën pjesë 34 garues në kategoritë për meshkuj dhe femra. Aktiviteti u organizua nga Federata Shqiptare e Shpëtimit në Ujë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke sjellë në vëmendje edhe rëndësinë e sigurisë në plazhe.
Garat u zhvilluan në pesë disiplina, mes tyre mbartja e manekinit në distanca 50 dhe 100 metra, si dhe prova e shpëtimit në 100 metra për meshkuj. Kampionati organizohet që prej vitit 2019 dhe synon të vërë në pah aftësitë që kërkohen në situata ku ndërhyrja e shpejtë mund të jetë vendimtare.
Ministri Blendi Gonxhja theksoi se përgatitja në këto disiplina merr rëndësi të veçantë gjatë sezonit veror, kur rritet nevoja për vigjilencë dhe reagim të shpejtë nga vrojtuesit në plazhe. Sipas tij, zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me masa më të forta për sigurinë në bregdet dhe me nisma që nxisin parandalimin e aksidenteve në ujë.
Sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të aktivitetit, më shumë se 300 mijë persona në botë humbin jetën çdo vit nga mbytja në ujë. Përmirësimi i sigurisë në plazhet publike, prania e vrojtuesve të trajnuar dhe parandalimi i rreziqeve janë ndër masat që mund të ndihmojnë në uljen e këtyre rasteve.