Lezha nderon Gjergj Fishtën në 155-vjetorin e lindjes së poetit të madh

Lezha nderon Gjergj Fishtën në 155-vjetorin e lindjes së poetit të madh

At Gjergj Fishta, një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, kujtohet sot në 155-vjetorin e lindjes. I njohur si “Homeri i letrave shqipe”, ai la një gjurmë të veçantë në kulturën kombëtare përmes krijimtarisë letrare, veprimtarisë arsimore dhe angazhimit për gjuhën shqipe.

I lindur më 23 tetor 1871 në Fishtë, Fishta mori mësimet e para në seminarin françeskan të Shkodrës dhe më pas studioi filozofi e teologji në Bosnje. Ai u bë drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane, ku kontribuoi që shqipja të përdorej si gjuhë mësimi. Një rol të rëndësishëm pati edhe në Kongresin e Manastirit, ku drejtoi Komisionin e Alfabetit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

Në vitin 1913 themeloi revistën “Hylli i Dritës”, ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë Letrare, që synonte zhvillimin e një gjuhe letrare kombëtare. Fishta u angazhua edhe në jetën politike e diplomatike të vendit, duke shërbyer si pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe si deputet i Shkodrës.

Vepra që e bëri një figurë të përhershme të letërsisë shqiptare është “Lahuta e Malcis”, epika së cilës i kushtoi rreth 40 vjet punë. Përmasat artistike, ndërthurja e historisë me mitologjinë dhe forca e rrëfimit e kanë bërë këtë vepër një prej krijimeve më të njohura të trashëgimisë letrare kombëtare.

Në nderim të përvjetorit, në Lezhë janë parashikuar aktivitete kulturore nga Biblioteka Publike “Gjergj Fishta”. Përmes librave, ekspozitave dhe veprimtarive të ndryshme, synohet që jeta dhe krijimtaria e poetit të afrohen më shumë me lexuesit, duke rikujtuar kontributin e tij në letërsi, arsim dhe kulturën shqiptare.

At Gjergj Fishta u nda nga jeta më 30 dhjetor 1940, por vepra e tij vijon të jetë pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore të vendit.

Prev Post

Shqipëria drejt sistemit të ri…

Next Post

Dokumente të rralla për Luigj…

post-bars

Leave a Comment