Dokumente të rralla për Luigj Gurakuqin ekspozohen në Prishtinë
Jeta dhe veprimtaria e Luigj Gurakuqit po sillen në vëmendje përmes dokumenteve arkivore në një ekspozitë të çelur në Prishtinë, në bashkëpunim mes institucioneve të arkivave të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ekspozita me titull “Luigj Gurakuqi në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror” u organizua nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Materialet e paraqitura dëshmojnë angazhimin e Gurakuqit në zhvillimin e arsimit shqip, çështjen e gjuhës dhe përpjekjet për çështjen kombëtare.
Gjatë hapjes, drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala, theksoi vlerën e dokumenteve në njohjen e veprimtarisë së tij. Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj, nënvizoi se qëllimi është që kjo trashëgimi të shkojë përtej studiuesve dhe të bëhet e njohur për qytetarët në të dy vendet.
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmet Xhemajli, e vlerësoi Gurakuqin si një nga personalitetet e shquara të Rilindjes Kombëtare, duke veçuar rolin e tij në arsimin shqip, shpalljen e Pavarësisë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.
Në kuadër të veprimtarisë është parashikuar edhe një konferencë me studiues, e cila synon të trajtojë aspekte të ndryshme të jetës dhe kontributit të Gurakuqit. Bashkëpunimi mes institucioneve arkivore të Shqipërisë dhe Kosovës synon gjithashtu të lehtësojë qasjen në dokumente dhe të nxisë njohjen e historisë përmes dëshmive origjinale.