Katër kala historike hapin dyert për investitorët
Hapësira shërbimi brenda kalave të Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës do të jepen në përdorim përmes një gare të hapur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Kontratat parashikohen të zgjasin deri në 20 vjet, ndërsa investimet do të mbulohen nga operatorët fitues.
Në total, konkurrimi përfshin 700 metra katrorë: 300 në Kalanë e Kaninës, 200 në atë të Rozafës dhe nga 100 metra katrorë në kalatë e Prezës dhe Petrelës. Qëllimi është rijetësimi i ambienteve përmes projekteve që respektojnë statusin dhe vlerat historike të monumenteve.
Pjesëmarrësit duhet të dëshmojnë kapacitetet financiare dhe profesionale, ndërsa projektet do të vlerësohen sipas investimit, ruajtjes së monumenteve, cilësisë së ndërhyrjeve dhe aksesit të publikut.
Afati për dorëzimin e ofertave është 12 nëntor 2026, ora 10:00.