IKTK feston 61 vjet, historia e një institucioni që ruan monumentet e Shqipërisë

IKTK feston 61 vjet, historia e një institucioni që ruan monumentet e Shqipërisë

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shënon 61-vjetorin e krijimit, duke kujtuar rrugëtimin e nisur në vitin 1965 me themelimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Krijimi i tij shënoi një hap të rëndësishëm në organizimin e punës për studimin, dokumentimin, mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve në Shqipëri.

Me kalimin e viteve, institucioni zhvilloi struktura të specializuara për monumentet e periudhave dhe tipologjive të ndryshme historike. Veprimtaria u shtri edhe në terren, përmes degëve dhe atelieve në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa kujdestarët e monumenteve luajtën rol në evidentimin e gjendjes së tyre dhe identifikimin e problematikave që kërkonin ndërhyrje.

Një moment i rëndësishëm në historinë e institucionit ishte viti 1971, kur doli numri i parë i revistës “Monumentet”. Përmes botimeve shkencore, ekspeditave kërkimore, sesioneve, albumeve dhe monografive, u zgjerua dokumentimi i vlerave historike, arkitekturore dhe arkeologjike të trashëgimisë shqiptare.

Kjo trashëgimi ka marrë edhe vlerësim ndërkombëtar. Butrinti u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992, ndërsa Qendra Historike e Gjirokastrës u regjistrua në vitin 2005. Po atë vit u përfshi edhe Berati, ndërsa në vitin 2008 u bënë ndryshime të rëndësishme në kufijtë e pasurisë që përfshin qendrat historike të dy qyteteve.

Në vitin 2019, pasuria e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit u zgjerua për të përfshirë edhe pjesën shqiptare të rajonit. Më pas, në vitin 2025, fshati Lin u përfshi në zonën shqiptare të kësaj pasurie të UNESCO-s, duke i shtuar një tjetër vlerë trashëgimisë së njohur ndërkombëtarisht.

Në përvjetorin e 61-të, IKTK vlerëson punën e studiuesve, arkitektëve, arkeologëve, restauratorëve dhe specialistëve që kanë kontribuar ndër vite në njohjen dhe mbrojtjen e monumenteve. Mes personaliteteve të veçuara është edhe prof. Emin Riza, i njohur për kontributin e tij në studimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Prev Post

Katër kala historike hapin dyert…

Next Post

Bizneset shqiptare në vështirësi për…

post-bars

Leave a Comment