Bizneset shqiptare në vështirësi për punonjës, mungesat në BE prekin mësuesit dhe mjekët
Gjetja e punonjësve të kualifikuar po kthehet në një sfidë të përbashkët për tregjet europiane të punës, ndërsa në Shqipëri vështirësitë e rekrutimit raportohen nga pothuajse të gjitha ndërmarrjet që kanë kërkuar staf. Të dhënat tregojnë se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e punonjësve, por edhe me aftësitë që kërkon tregu.
Në Bashkimin Europian, mungesat më të theksuara të fuqisë punëtore janë te profesionistët e arsimit, shëndetësisë dhe teknologjisë së informacionit. Sipas raportit “Skills for Jobs 2026” të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), çekuilibri mes kërkesës dhe ofertës është veçanërisht i lartë në këto profesione. Vështirësi evidentohen gjithashtu për teknikët e shëndetësisë, specialistët e biznesit, menaxherët dhe profesionistët e shkencës e inxhinierisë.
Plakja e popullsisë, zhvillimi teknologjik dhe përhapja e inteligjencës artificiale po ndryshojnë kërkesat e tregut. Në shëndetësi, nevoja në rritje për kujdes dhe kushtet e vështira të punës e bëjnë më të vështirë mbajtjen e personelit, ndërsa dixhitalizimi rrit kërkesën për punonjës me aftësi të specializuara.
Në Shqipëri, vështirësitë e bizneseve shfaqen edhe më qartë në të dhënat e studimit “Skills Needs Analysis Albania 2025”, të publikuar nga UNDP në shtator 2026. Sipas raportit, 94.9% e ndërmarrjeve që kishin tentuar të rekrutonin punonjës kishin hasur vështirësi për të plotësuar vendet vakante. Po ashtu, 43.5% e ndërmarrjeve evidentuan mangësi në aftësitë e stafit ekzistues.
Studimi përfshiu përgjigjet e 2,185 ndërmarrjeve, që përfaqësojnë rreth 54 mijë biznese aktive dhe mbi 500 mijë të punësuar. Sfidat lidhen si me njohuritë teknike, ashtu edhe me aftësi të tjera të rëndësishme për punën, përfshirë komunikimin, organizimin, bashkëpunimin dhe përshtatjen me ndryshimet.
Diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së vërehet edhe në arsimimin e vazhdueshëm dhe aftësitë dixhitale. Sipas të dhënave të OECD-së, vetëm 1.6% e shqiptarëve të moshës 25–64 vjeç morën pjesë në aktivitete arsimimi ose trajnimi gjatë vitit 2024, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 13.3%. Ndërkohë, të paktën aftësi bazë dixhitale zotëronin 23% e të rriturve në Shqipëri, krahasuar me 56% në BE, sipas të dhënave të vitit 2023.
Edhe numri i vendeve të lira të punës pasqyron kërkesën për punonjës. Në vitin 2023, në Shqipëri u regjistruan mbi 61 mijë vende vakante, 54% më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe ishte në industrinë përpunuese, me 33.8%, e ndjekur nga tregtia me 14.6% dhe akomodimi e shërbimet ushqimore me 14.2%.
Sipas OECD-së, emigracioni, tkurrja e popullsisë në moshë pune dhe mospërputhja mes formimit arsimor dhe nevojave të bizneseve e vështirësojnë më tej gjetjen e punonjësve të përshtatshëm. Në të dyja tregjet, sfida nuk është vetëm krijimi i vendeve të punës, por edhe përgatitja e njerëzve me aftësitë që kërkohen.