Protestat në Tiranë, një tjetër ditë përballjeje mes studentëve dhe qeverisë
Protesta studentore në Tiranë ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa lëvizjes i janë bashkuar edhe pedagogët, të cilët kanë nisur bojkotin e mësimdhënies në universitetet publike. Studentët dhe akademikët marshuan nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë vendosi që bojkoti të nisë më 21 tetor dhe të vijojë deri në një njoftim të dytë. Kreu i sindikatës, Skënder Kovaçi, tha se vendimi synon të mbështesë studentët dhe kërkesat e tyre. Në deklaratë kërkohet ndalimi i dhunës ndaj protestuesve, hetimi i përdorimit të forcës policore dhe trajtimi i ligjshëm e dinjitoz i të rinjve të ndaluar. Sindikata u bëri thirrje rektorëve të respektojnë bojkotin dhe të mos marrin masa ndaj pedagogëve pjesëmarrës.
Përpara Kryeministrisë, protestuesit refuzuan sërish ftesën për dialog të kryeministrit Rama dhe rrëzuan karriget e vendosura përpara godinës një ditë më parë. Nga ana e tij, Rama përsëriti se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me studentët dhe pedagogët, por dënoi aktet e dhunës dhe paralajmëroi pasoja ligjore e financiare për personat që dëmtojnë pronën publike ose private.
Në mesazhin e tij, kryeministri tha se e drejta e protestës është e pamohueshme, por se dhuna nuk mund të justifikohet. Ai u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve të distancohen nga aktet e dhunshme, duke theksuar se personat përgjegjës për dëmet do të duhet të paguajnë.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale publikoi bilancin e të lënduarve gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 21 tetor. Sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar 320 persona të dëmtuar: 192 punonjës policie, 92 protestues dhe 36 kalimtarë. Mes të lënduarve janë edhe gjashtë përfaqësues të medias, përfshirë një gazetar të huaj.
Vetëm gjatë protestës së një dite më parë, tetë persona kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës dhe në QSUT. Gjashtë prej tyre u paraqitën në Spitalin e Traumës, ku tre kalimtarë u shtruan për trajtim të mëtejshëm dhe një pacient iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila, sipas autoriteteve shëndetësore, përfundoi me sukses. Në këtë spital vijojnë të jenë të shtruar nëntë persona të lënduar gjatë protestave. Dy personat e paraqitur në QSUT, një efektiv policie dhe një protestues, morën trajtimin e nevojshëm dhe u larguan nga spitali.
Me studentët që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe pedagogët që kanë pezulluar mësimin, situata mbetet e tensionuar. Dialogu i propozuar nga kryeministri deri tani nuk është pranuar nga protestuesit, të cilët kërkojnë ndryshime dhe përgjegjësi institucionale.