Shqipëria ngadalëson ritmin, rajoni ecën përpara
Ekonomia shqiptare shënoi rritjen e dytë më të ulët në Ballkanin Perëndimor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa investimet po humbasin ritmin. Sipas raportit të fundit ekonomik të Komisionit Europian për vendet kandidate, ekonomia u zgjerua me 3.6% në bazë vjetore, nga 3.7% në tremujorin e parë.
Shqipëria la pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa Maqedonia e Veriut kryesoi rajonin me rritje prej 4.3%, e ndjekur nga Kosova me 4.1%. Mesatarja e ponderuar e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor arriti gjithashtu në 3.6%, nga 3.2% në tremujorin e parë.
Një nga sinjalet më të rëndësishme në raport lidhet me investimet. Rritja e tyre në Shqipëri u ngadalësua në 1.8% në tremujorin e dytë, nga 4% në tremujorin e parë dhe 9.9% në fund të vitit 2025. Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku ritmi i investimeve u ngadalësua, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje përkatësisht me 26.5% dhe 16.5%.
Në anën tjetër, konsumi privat mbetet një mbështetje e rëndësishme për ekonominë shqiptare. Ai u rrit me 4.6% në bazë vjetore, niveli më i lartë në rajon, i ndjekur nga Kosova me 4.4%. Sipas raportit, ecuria e pagave vijoi të mbështeste kërkesën e brendshme.
Turizmi ndihmon bilancin e jashtëm
Pavarësisht ngadalësimit të investimeve, Shqipëria shënoi përmirësim në pozicionin e saj të jashtëm. Bilanci i llogarisë korrente kaloi në suficit prej 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë, i ndihmuar nga rritja e eksporteve të shërbimeve, veçanërisht turizmit, si dhe nga të ardhurat më të larta prej punës afatshkurtër dhe ndërkufitare jashtë vendit.
Në nivel rajonal, deficiti mesatar i llogarisë korrente u ngushtua në 4.6% të PBB-së. Shqipëria dhe Serbia kontribuuan kryesisht në këtë përmirësim, ndërsa Mali i Zi regjistroi deficitin më të lartë në rajon, prej 20.9% të PBB-së.
Shqipëria përmirëson treguesit fiskalë
Të dhënat për financat publike paraqesin një tablo më pozitive për Shqipërinë. Në tetë muajt e parë të vitit, vendi regjistroi suficit buxhetor më të lartë, në një kohë kur në disa ekonomi të tjera të rajonit rritja e shpenzimeve publike solli përkeqësim të bilanceve fiskale.
Edhe borxhi publik ra në raport me ekonominë. Në fund të qershorit 2026, ai zbriti në 49% të PBB-së, pas një uljeje prej 3.9 pikësh përqindjeje krahasuar me fundin e vitit 2025. Vetëm Mali i Zi regjistroi një nivel më të lartë borxhi, prej 58.5% të PBB-së.
Ndërkohë, inflacioni në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në 4% në tremujorin e dytë, nga 3.2% në tremujorin e parë. Në tremujorin e tretë, rritja e çmimeve varionte nga 2.5% në Maqedoninë e Veriut në 7.2% në Kosovë, e nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve, transportit dhe energjisë.
Raporti i Komisionit Europian paraqet kështu një tablo të përzier për Shqipërinë: konsum i fortë dhe tregues fiskalë më të përmirësuar, por rritje ekonomike pa përshpejtim dhe ngadalësim të ndjeshëm të investimeve.