Protestat në Shqipëri, vijojnë tensionet dhe reagimet për dhunën

Protestat në Shqipëri, vijojnë tensionet dhe reagimet për dhunën

Protestat e të rinjve dhe studentëve kundër qeverisë pritet të vijojnë edhe sot, në ditën e pestë të mobilizimit, me studentët e Mjekësisë që planifikojnë të mblidhen pranë fakultetit dhe të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit. Pas përplasjeve të ditëve të fundit në Tiranë dhe në qytete të tjera, situata në kryeqytet paraqitej më e qetë në orët e mëngjesit, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e rendit.

Protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës, dëmtime të pronës publike e private dhe shoqërime në komisariate. Disa qytetarë kanë denoncuar kontrolle policore në rrugë, ndërsa raportime të publikuara nga BIRN kanë ngritur pikëpyetje për ndalime të kryera nga persona me veshje civile dhe automjete pa shenja identifikuese. Policia ka deklaruar se në rastin e dokumentuar bëhej fjalë për punonjës të Policisë Kriminale që po kryenin veprime për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte të paligjshme.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se e drejta e studentëve dhe qytetarëve për të protestuar duhet të respektohet, ndërsa personat që kanë dëmtuar pronën publike dhe private do të përballen me ligjin. Ai njoftoi gjithashtu se bizneset e vogla të dëmtuara në Tiranë mund t’i regjistrojnë dëmet përmes platformës e-Albania, në rubrikën “Dëmi im”. Sipas tij, dhjetë grupe verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve do të mbledhin të dhëna në terren për dëmet e shkaktuara.

Gjatë deklaratave të tij, Rama ka fajësuar opozitën dhe aktorë të huaj për nxitjen e trazirave, pa identifikuar publikisht personat apo strukturat që përmendi. Këto pretendime janë kundërshtuar nga ekspertë të komunikimit dhe qeverisjes të cituar nga BIRN, të cilët kanë vënë në pikëpyetje zhvendosjen e vëmendjes nga kërkesat e protestuesve dhe përgjegjësia politike e institucioneve.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara në Shqipëri, në një deklaratë të publikuar më 16 tetor, shprehën shqetësim për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve. OKB-ja rikujtoi rëndësinë e së drejtës për tubim paqësor, lirisë së shprehjes dhe shtypit, si dhe kërkoi vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet nga forcat e rendit, respektim të procesit të rregullt ligjor dhe mbrojtje të pronës publike e private.

Protestat, të cilat janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit, zhvillohen mes kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit dhe kundërshtimit të klasës politike. Situata mbetet e shoqëruar nga tensione lidhur me mënyrën e menaxhimit të demonstratave, veprimet e policisë dhe dëmet e shkaktuara gjatë përplasjeve.

Prev Post

Shkencëtarët krijojnë “rërë të gjallë”…

Next Post

Shqipëria përballë shansit të ri…

post-bars

Leave a Comment