Shqipëria përballë shansit të ri industrial, si të fitohet më shumë nga pasuritë minerare?

Shqipëria përballë shansit të ri industrial, si të fitohet më shumë nga pasuritë minerare?

Mineralet dhe metalet vijojnë të zënë një peshë të rëndësishme në eksportet shqiptare, por vendi ende përfiton më pak nga përpunimi i tyre. Ndërsa Europa kërkon të sigurojë furnizimin me lëndë të para kritike dhe të afrojë zinxhirët e prodhimit, Shqipëria mund të shfrytëzojë burimet natyrore dhe bazën industriale ekzistuese për të zhvilluar një model prodhimi me më shumë vlerë të shtuar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2022 eksportet e mineraleve dhe produkteve të tyre arritën rreth 123 miliardë lekë, ose 25% të totalit të eksporteve. Në tetëmujorin e vitit 2026, ato kapën 53.3 miliardë lekë, duke përbërë 21.6% të eksporteve shqiptare. Kjo ecuri tregon rëndësinë e sektorit, por edhe ekspozimin e tij ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.

Bakri dhe potenciali i nikelit mund të krijojnë mundësi të reja në kushtet kur Bashkimi Europian synon të diversifikojë furnizimet me minerale strategjike. Shqipëria ka traditë në nxjerrjen e kromit, bakrit dhe hekur-nikelit, si dhe kapacitete për pasurimin e disa mineraleve dhe prodhimin e ferrokromit. Megjithatë, përpunimi i mëtejshëm brenda vendit mbetet i kufizuar dhe kërkon studime të reja gjeologjike, teknologji dhe investime të mirëorientuara.

Edhe kompanitë minerare po shqyrtojnë mënyra për të rritur vlerën e prodhimit. Mehmet Uluyurt, CEO i BERALB, thekson rëndësinë e përmirësimit të rendimentit, rikuperimit të mineralit, kontrollit të kostove dhe zhvillimit të produkteve alternative e nënprodukteve. Sipas tij, investimet në laboratorë, mirëmbajtje dhe teknologji mund të përmirësojnë cilësinë dhe konkurrueshmërinë e prodhimit.

Mundësitë nuk kufizohen vetëm te industria nxjerrëse. Sipas ekspertit të çështjeve makroekonomike Antonin Braho, Shqipëria ka tashmë një bazë prodhuese që mund të zgjerohet. Në vitin 2024, industria përpunuese numëronte 7,187 ndërmarrje aktive dhe 95,276 të punësuar, me shitje neto rreth 379 miliardë lekë. Megjithatë, madhësia e vogël e shumë ndërmarrjeve dhe mungesa e disa shërbimeve teknike e kufizojnë zhvillimin e zinxhirëve vendas të furnizimit.

Një shembull është industria e sistemeve elektrike për automjete, shitjet e së cilës arritën rreth 8.7 miliardë lekë në vitin 2024. Ky aktivitet dëshmon se Shqipëria ka kapacitete prodhuese dhe lidhje me tregjet ndërkombëtare, por mbetet për t’u parë se sa nga materialet, pajisjet, komponentët dhe shërbimet inxhinierike mund të sigurohen nga kompani vendase.

Ekspertët vlerësojnë se hapi i ardhshëm nuk është thjesht hapja e fabrikave të reja, por zgjerimi i proceseve që kryhen në Shqipëri. Zhvillimi i laboratorëve, furnitorëve vendas, shërbimeve të mirëmbajtjes, testimit dhe inxhinierisë mund të rrisë vlerën që mbetet në ekonominë vendase.

Në këtë drejtim, zonat industriale po synojnë të tërheqin edhe investime në sektorë më të specializuar, përfshirë prodhimin farmaceutik dhe pajisjet mjekësore. Këto aktivitete kërkojnë standarde të larta cilësie dhe procese të kontrolluara, duke krijuar potencial edhe për zhvillimin e shërbimeve dhe furnitorëve të specializuar.

Megjithatë, përpunimi i mineraleve dhe zhvillimi industrial kërkojnë rezerva të verifikuara, energji të qëndrueshme, infrastrukturë, teknologji, siguri juridike dhe punonjës të kualifikuar. Për Shqipërinë, mundësia qëndron te ndërtimi gradual i hallkave që mungojnë, në mënyrë që më shumë procese, shërbime dhe vlerë ekonomike të krijohen brenda vendit.

Prev Post

Protestat në Shqipëri, vijojnë tensionet…

Next Post

FMN: Anëtarësimi në BE mund…

post-bars

Leave a Comment