Shqipëria mund të afrohet më shpejt me BE-në, në tryezë modeli i Zonës Ekonomike Europiane
Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të thellojnë integrimin me Bashkimin Europian edhe përpara anëtarësimit të plotë, përmes një modeli të ngjashëm me Zonën Ekonomike Europiane (EEA). Propozimi vjen nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), në një studim të publikuar në shtator 2026.
Sipas studiuesit Hubert Gabrisch, forcimi i marrëdhënieve me BE-në mund t’u mundësojë vendeve kandidate pjesëmarrje më të gjerë në tregun e brendshëm europian dhe përfshirje në përgatitjen e politikave të Unionit, pa u dhënë të drejtën e votës në institucionet e tij.
Në vend të krijimit të një statusi të ri “anëtarësimi të asociuar”, ndaj të cilit shpreh rezerva, wiiw sugjeron përmirësimin e marrëveshjeve ekzistuese të asociimit dhe afrimin e tyre me modelin EEA. Sipas institutit, një status i ndërmjetëm pa të drejta të plota vote mund të krijonte pasiguri juridike dhe të perceptohej si anëtarësim i dorës së dytë.
Raporti thekson se sfidë mbetet edhe vendimmarrja brenda BE-së, ku në fusha të rëndësishme, si politika e jashtme dhe pranimi i anëtarëve të rinj, kërkohet unanimiteti. Për këtë arsye, wiiw vlerëson se zgjerimi duhet të shoqërohet me reforma institucionale.
Për Shqipërinë, një integrim më i thellë ekonomik dhe institucional mund të krijojë mundësi të reja gjatë negociatave, por instituti nënvizon se ky model nuk zëvendëson objektivin e anëtarësimit të plotë në BE.
Si shembull, studimi përmend Austrinë, e cila hyri në Zonën Ekonomike Europiane në vitin 1994 dhe u bë anëtare e Bashkimit Europian një vit më vonë.