Përvoja në timon, jo garanci kundër aksidenteve
Pothuajse gjysma e aksidenteve rrugore në Shqipëri gjatë vitit 2025 u shkaktuan nga drejtues automjetesh me më shumë se nëntë vite përvojë në timon. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), kjo kategori ishte përgjegjëse për 677 nga 1,375 aksidentet e regjistruara, ose 49.2% të totalit.
Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, numri i aksidenteve të shkaktuara nga këta drejtues ra me 8.8%, nga 742 raste. Edhe drejtuesit me më pak përvojë shënuan rënie: ata me 0–3 vite leje drejtimi shkaktuan 224 aksidente, ose 16.3% të totalit, 24.3% më pak se një vit më parë.
Ndërkohë, drejtuesit me 3–6 vite përvojë shkaktuan 196 aksidente, ndërsa ata me 6–9 vite përvojë u përfshinë në 189 raste. Në 67 aksidente, ose rreth 4.9% të totalit, shkaktarë rezultuan drejtues pa leje drejtimi.
Në përgjithësi, numri i aksidenteve rrugore ra me 17.5% në vitin 2025, nga 1,666 në 1,375. Pavarësisht kësaj, numri i personave që humbën jetën u rrit me 14.3%, duke treguar se ulja e aksidenteve nuk u shoqërua me më pak viktima fatale.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se 88.1% e aksidenteve ndodhën në kushte moti të thatë, ndërsa 64.8% u regjistruan gjatë ditës.