Parkimi i gabuar kryeson gjobat në Shqipëri, por aksidentet me viktima shënojnë rritje
Parkimi dhe qëndrimi në vende të ndaluara përbëjnë shkeljen më të shpeshtë në statistikat e masave administrative rrugore në Shqipëri. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025, 34% e masave administrative u vendosën për këtë kategori, nga 31.1% në vitin 2024 dhe 30% në vitin 2023.
Në vend të dytë renditet shkelja e normave të shpejtësisë, me 18.9% të masave, megjithëse pesha e saj ra nga 25.4% një vit më parë. Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore përbënte 14.3%, parakalimet e gabuara 7.7%, mosvendosja e rripit të sigurimit 5.5%, ndërsa përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit 3.4%. Në total, masat administrative u rritën me 2.2% krahasuar me vitin 2024.
Ndërkohë, numri i aksidenteve rrugore ra me 17.5%, nga 1,666 në vitin 2024 në 1,375 gjatë vitit 2025. Megjithatë, numri i personave që humbën jetën u rrit me 14.3%, ndërsa vdekshmëria arriti në 14.5 viktima për çdo 100 aksidente, nga 10.5 një vit më parë.
Sipas INSTAT, sjellja e drejtuesve të mjeteve ishte shkaktare e 87.9% të aksidenteve. Grupmosha 25–34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve të shkaktuara nga drejtuesit, me 331 raste, ndërsa Tirana kryesoi për numrin e aksidenteve, me 447 raste, ose 32.5% të totalit kombëtar.