“Muji dhe Halili” po vjen në ekranin e madh
Filmi me regji të Turjan Hyskos sjell në kinema një nga rrëfimet më të njohura të epikës legjendare shqiptare. Historia e përcjellë ndër breza përmes këngëve të lahutës do të marrë një interpretim të ri filmik.
“Muji dhe Halili”, personazhet qendrore të Ciklit të Kreshnikëve, do të bëhen pjesë e një filmi që pritet të shfaqet së shpejti në kinema. Realizimi nga Turjan Hysko synon ta sjellë për publikun një prej pasurive më të njohura të trashëgimisë folklorike shqiptare.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale pamje nga filmi. Ai e përshkroi projektin si një rrëfim që vjen “nga kënga e lahutës, tek ekrani i madh”, duke sjellë historinë që është përcjellë brez pas brezi përmes traditës gojore.
Cikli i Kreshnikëve zë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë shpirtërore shqiptare. Përmes figurave të Mujit dhe Halilit, këngët epike përcjellin vlera si trimëria, besa, nderi dhe qëndresa.
Me këtë realizim, rrëfimi pritet të marrë një formë të re artistike dhe të prezantohet edhe para brezave të rinj përmes kinemasë. Data e shfaqjes nuk është bërë e ditur.