Shqipëria kryeson Ballkanin për themeluesit e bizneseve me përvojë pune jashtë vendit
Rreth 36% e sipërmarrësve të anketuar në vend kanë punuar më parë jashtë Shqipërisë, mbi dyfishin e mesatares rajonale. Të dhënat nuk tregojnë nëse ata janë kthyer përgjithmonë apo nëse kapitalin për biznesin e kanë siguruar gjatë emigracionit.
Shqipëria kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për përqindjen e themeluesve të bizneseve që kanë përvojë pune jashtë vendit. Sipas “Barometrit të Ballkanit”, këtë përvojë e kanë 36% e sipërmarrësve të anketuar në Shqipëri, krahasuar me mesataren rajonale prej 17%.
Dallimi është i dukshëm edhe në raport me vendet e tjera. Në Serbi, 91% e themeluesve të bizneseve të pyetur thanë se nuk kanë punuar jashtë vendit. Në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, kjo përqindje varion nga 84% në 88%, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë arrin në 83%.
Në Shqipëri, 16% e themeluesve të bizneseve kanë punuar jashtë për një periudhë nga dy deri në pesë vjet. Raporti sugjeron se njohuritë dhe aftësitë profesionale të fituara jashtë vendit mund të jenë një burim për sipërmarrjen vendase.
Megjithatë, të dhënat nuk përcaktojnë nëse këta sipërmarrës janë kthyer përgjithmonë në Shqipëri apo nëse kapitalin për krijimin e bizneseve e kanë siguruar gjatë emigracionit.
Studimi u zhvillua në maj dhe qershor të vitit 2025, me 1,216 biznese në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë 200 në Shqipëri.