Mbi 600 mijë euro për financimin e doktoraturave në vitin 2026

Mbi 600 mijë euro për financimin e doktoraturave në vitin 2026

Skema e re ofron deri në 10 mijë euro për doktoraturat standarde dhe 30 mijë euro për ato industriale. Thirrja ka dy kategori dhe synon t’i japë më shumë mbështetje kërkimit shkencor, inovacionit dhe fushave STEM.

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit kanë hapur thirrjen për financimin e studimeve të doktoraturës për vitin 2026. Buxheti i dedikuar kalon 600 mijë euro, nga rreth 100 mijë euro që ishte në dispozicion vitin e kaluar.

Sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, doktorantët mund të përfitojnë deri në 10 mijë euro për studimet standarde, ndërsa financimi për doktoraturat industriale mund të arrijë në 30 mijë euro.

Skema këtë vit paraqitet me një thirrje të vetme dhe dy kategori: doktoraturat kërkimore standarde, të përcaktuara si Kategoria A, dhe doktoraturat industriale, Kategoria B. Ministrja tha se të dyja janë pjesë e së njëjtës skemë kombëtare, me rregulla të përbashkëta për administrimin, financimin, monitorimin dhe transparencën.

Programi u jep përparësi inovacionit dhe fushave STEM, ku sipas ministres nevojat për investim janë më të mëdha. Synimi është të mbështeten studiues të rinj që mund të zhvillojnë kërkime të pavarura, me rezultate që kontribuojnë në shkencë, ekonomi dhe politikat publike.

Në aktivitetin e hapjes morën pjesë përfaqësues të botës akademike, pedagogë, studiues, doktorantë dhe studentë. Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, vlerësoi rritjen e mbështetjes financiare për doktorantët dhe vëmendjen më të madhe ndaj kërkimit shkencor.

Prev Post

Java e Shkencës 2026 sjell…

Next Post

Shqipëria kryeson Ballkanin për themeluesit…

post-bars

Leave a Comment