Java e Shkencës 2026 sjell në Tiranë studiues dhe studentë
Për katër ditë, pjesëmarrës nga fusha të ndryshme do të prezantojnë kërkimet e tyre dhe do të diskutojnë mundësi për bashkëpunime të reja akademike.
Shkencëtarë, inxhinierë, profesorë dhe studentë do të mblidhen në Tiranë nga 12 deri më 15 tetor për veprimtarinë “Java e Shkencës 2026”. Nisma synon të nxisë kërkimin shkencor, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve mes komunitetit akademik.
Sipas Akademisë së Shkencave, aktiviteti organizohet nga Instituti Kombëtar i Fizikës pranë ASHSH-së dhe Departamenti i Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.
Përgjatë katër ditëve, pjesëmarrësit do të prezantojnë punën dhe kërkimet e tyre, si dhe do të diskutojnë ide për projekte të përbashkëta, botime dhe mobilitet akademik. Programi synon gjithashtu të krijojë ura bashkëpunimi mes universiteteve dhe industrisë.
Hapja zyrtare do të mbahet më 12 tetor, në orën 12:00, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave. Aktivitetet e datave 13–15 tetor do të zhvillohen në sallën 412B të Departamentit të Fizikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.