Shqipëria me 46 bashki, kush bashkohet dhe si do të ndryshojnë shërbimet për qytetarët?

Shqipëria me 46 bashki, kush bashkohet dhe si do të ndryshojnë shërbimet për qytetarët?

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 85 vota pro reformën e re administrativo-territoriale, duke ulur numrin e bashkive nga 61 në 46. Ndryshimi u miratua pas një seance të gjatë parlamentare, pa konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa harta e re pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Sipas variantit të miratuar, 15 bashki do të bashkohen me njësi fqinje, ndërsa 12 qarqet e vendit do të mbeten të pandryshuara. Mazhoranca argumenton se riorganizimi synon të ulë kostot administrative, të forcojë kapacitetet financiare të pushtetit vendor dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike.

Cilat bashki do të bashkohen?

Ndryshimet prekin disa qarqe të vendit, nga veriu në jug. Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi Matit dhe Rrogozhina Kavajës. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani do të përfshihen në Bashkinë Berat, ndërsa Patosi do t’i bashkohet Fierit dhe Divjaka Lushnjës.

Në jug të vendit, Selenica do të bashkohet me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Ndërkohë, Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen Elbasanit, ndërsa Përrenjasi Librazhdit.

Çfarë ndryshon në administrimin vendor?

Reforma nuk lidhet vetëm me kufijtë e bashkive, por edhe me mënyrën e organizimit të administratës dhe ofrimit të shërbimeve. Modeli i ri parashikon që bashkia të ketë një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Ndërkohë, qyteti parashikohet si një hallkë organizative mes bashkisë dhe njësive administrative, me synimin për të koordinuar më mirë shërbimet në territor.

Sipas argumenteve të mazhorancës, bashkimi i njësive vendore do të mundësojë përdorimin e përbashkët të burimeve financiare dhe stafit profesional. Kjo pritet të ndihmojë në hartimin e projekteve, planifikimin territorial dhe financimin e investimeve, veçanërisht në zonat ku bashkitë e vogla kanë kapacitete të kufizuara.

Megjithatë, bashkimi sjell edhe detyrime financiare. Njësitë pasardhëse do të marrin përsipër asetet, kontratat dhe detyrimet e bashkive që përfshihen në to. Për këtë arsye, riorganizimi do të kërkojë koordinim të administratave, transferim të dokumentacionit dhe integrim të sistemeve digjitale.

Si do të ndikojë te qytetarët?

Një nga çështjet kryesore mbetet afërsia e shërbimeve me banorët. Zgjerimi i territorit të bashkive mund të sjellë më shumë kapacitete për investime, por ngre edhe shqetësimin se banorët e zonave periferike dhe rurale mund ta kenë më të vështirë të arrijnë qendrën administrative.

Për të shmangur këtë problem, raporti parlamentar rekomandon sportele të integruara në njësitë administrative dhe shërbime të lëvizshme për zonat e largëta. Po ashtu, sugjerohet rishikimi i formulës së shpërndarjes së fondeve, duke marrë parasysh faktorë si relievi, gjatësia e rrugëve, shpërndarja e fshatrave, mosha e popullsisë dhe niveli i varfërisë.

Përshtatja e administratave, transferimi i aseteve dhe integrimi i sistemeve do të sjellin kosto shtesë. Për përballimin e tyre, raporti rekomandon krijimin e një Fondi Kombëtar të Tranzicionit.

Opozita kërkoi 100 bashki

Partia Demokratike kundërshtoi hartën e miratuar, duke argumentuar se reduktimi i numrit të bashkive nuk garanton përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Propozimi i saj ishte zgjerimi i ndarjes territoriale në 100 bashki, me synimin për ta afruar vendimmarrjen me komunitetet lokale.

Përplasja mes dy palëve lidhet me dy modele të ndryshme të organizimit të pushtetit vendor: mazhoranca mbështet bashkimin e njësive për të rritur kapacitetet financiare dhe administrative, ndërsa opozita kërkon më shumë njësi vendore dhe përfaqësim më të afërt për banorët.

Harta e re do të nisë të zbatohet me zgjedhjet vendore të vitit 2027. Deri në konstituimin e organeve të reja, bashkitë aktuale do të vijojnë funksionimin sipas ndarjes ekzistuese. Rezultati i reformës do të varet jo vetëm nga numri i bashkive, por edhe nga financimi, organizimi i administratave dhe aftësia për të garantuar shërbime cilësore në të gjithë territorin.

Prev Post

Alpet dhe Drini në fokus,…

Next Post

Shkup–Prishtinë me tren për 50…

post-bars

Leave a Comment