Alpet dhe Drini në fokus, Shqipëria përfshihet në planin ballkanik për rimëkëmbjen e pyjeve

Alpet dhe Drini në fokus, Shqipëria përfshihet në planin ballkanik për rimëkëmbjen e pyjeve

Shqipëria është pjesë e një plani të përbashkët të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për restaurimin e pyjeve dhe peizazheve të degraduara. Nisma synon të forcojë mbrojtjen e ekosistemeve dhe të ulë rreziqet nga zjarret, përmbytjet dhe erozioni, ndërsa për vendin veçohen Alpet Shqiptare dhe pellgu i Drinit si zona me potencial të lartë për bashkëpunim ndërkufitar.

“Plani për Restaurimin e Peizazheve Pyjore të Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, përfshin më shumë se 50 zona prioritare ndërkufitare, me një sipërfaqe totale prej rreth 725 mijë hektarësh. Kostoja e parashikuar për këto ndërhyrje shkon nga 1.48 deri në 2.14 miliardë euro deri në vitin 2050, ndërsa aktivitetet e restaurimit pritet të nisin në vitin 2028.

Në plan përfshihen Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Qasja nuk kufizohet vetëm te pyjet, por përfshin edhe lumenjtë, tokat bujqësore, kullotat, ligatinat dhe zonat e banuara, duke u bazuar në lidhjen e drejtpërdrejtë mes tyre.

Restaurimi i pyjeve në zonat e degraduara mund të ndihmojë në ngadalësimin e rrjedhjes së ujit pas reshjeve dhe në reduktimin e erozionit, ndërsa rikthimi i bimësisë përgjatë lumenjve ndihmon në mbrojtjen e brigjeve. Në të njëjtën kohë, ligatinat dhe hapësirat natyrore që përmbyten mund të mbajnë një pjesë të ujit gjatë episodeve të reshjeve intensive.

Për Shqipërinë, një nga rastet kryesore të identifikuara është pellgu i Drinit, i cili shtrihet në territorin e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Dokumenti e sheh bashkëpunimin për menaxhimin e përmbytjeve në këtë pellg si një model që mund të shtrihet edhe në restaurimin e ekosistemeve.

Një tjetër zonë me rëndësi janë Alpet Shqiptare, ku mbrojtja e specieve dhe habitateve shihet si pikënisje për ndërhyrje më të gjera. Synimi është ruajtja e lidhjeve mes zonave natyrore, në mënyrë që habitatet të mos mbeten të izoluara dhe biodiversiteti të jetë më i mbrojtur.

Plani evidenton edhe vështirësi që lidhen me mënyrën e menaxhimit të territorit. Përgjegjësitë shpesh janë të shpërndara mes institucioneve që mbulojnë pyjet, mjedisin, bujqësinë, ujërat dhe planifikimin territorial, ndërsa në rajon mbeten problem edhe mungesa e të dhënave të përditësuara, financimi i paqëndrueshëm dhe përfshirja e kufizuar e komuniteteve lokale.

Zjarret, thatësirat dhe erozioni trajtohen si rreziqe të ndërlidhura. Për zonat më të ekspozuara, dokumenti parashikon hartëzimin e rrezikut nga zjarret në vitet 2028–2029 dhe zbatimin e masave parandaluese e restauruese gjatë periudhës 2029–2035. Ndërhyrjet mund të përfshijnë rigjenerimin natyror të asistuar, ripyllëzimin me specie vendase, përmirësimin e strukturës së pyjeve dhe krijimin e brezave që kufizojnë përhapjen e zjarreve.

Një tjetër sfidë është financimi. Për të gjithë rajonin synohet mobilizimi i të paktën 25 milionë eurove deri në vitin 2030, si hap fillestar për ngritjen e një sistemi më të qëndrueshëm financimi. Këto fonde pritet të kombinojnë burime publike, instrumente europiane, financime ndërkombëtare për klimën dhe biodiversitetin, si dhe kontributin e sektorit privat.

Plani nuk e mbulon të gjithë nevojën financiare për restaurimin e pyjeve në gjashtë vendet. Shuma prej 1.48–2.14 miliardë eurosh i referohet zonave prioritare ndërkufitare, investimeve fillestare dhe mirëmbajtjes së hershme, ndërsa financimi afatgjatë duhet të sigurohet në vijim.

Deri në vitin 2032 synohet që të paktën një zonë prioritare ndërkufitare të tregojë përmirësim të matshëm në gjendjen dhe lidhjen e ekosistemeve pyjore, ndërsa objektivi për të gjitha zonat prioritare shtrihet deri në vitin 2050.

Prev Post

Durrësi kthehet në skenë të…

post-bars

Leave a Comment