Shkup–Prishtinë me tren për 50 minuta, linja e re synohet për vitin 2027
Lidhja hekurudhore mes Shkupit dhe Prishtinës mund të vihet në funksion deri në fund të vitit 2027, me një kohë udhëtimi prej rreth 50 minutash. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski.
Realizimi i projektit varet nga përfundimi i punimeve në hekurudhën e Kosovës, ku mbetet ende për t’u ndërtuar një tunel. Pas përfundimit të tyre, Maqedonisë së Veriut do t’i duhen edhe katër deri në gjashtë muaj për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme.
Përveç lidhjes më të shpejtë mes dy kryeqyteteve, linja synon të ulë trafikun rrugor dhe ndotjen e ajrit në Shkup. Sipas Nikolovskit, çdo ditë më shumë se 10 mijë automjete qarkullojnë drejt dhe nga Kosova.
Projekti mund të lidhet edhe me planet për zgjerimin e transportit hekurudhor urban në Shkup. Megjithatë, nisja e linjës deri në fund të vitit 2027 mbetet e kushtëzuar nga përfundimi i punimeve dhe përgatitjet teknike.