Nga Adriatiku te Deti i Zi, Korridori VIII hyn në fazën e zbatimit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Sofje se Shqipëria ka kaluar nga angazhimi politik në zbatimin konkret të Korridorit VIII, një projekt që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi.
Gjatë Konferencës për Korridorin VIII, Hoxha theksoi se objektivi nuk duhet të jetë një seri projektesh të ndara, por një korridor i integruar dhe funksional mes vendeve të përfshira.
Sipas tij, përfundimi i këtij projekti do të ndikonte në rritjen e tregtisë, uljen e kostove të transportit, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e konkurrueshmërisë. Korridori shihet gjithashtu si i rëndësishëm për energjinë dhe sigurinë rajonale, përfshirë infrastrukturën me përdorim të dyfishtë.
Hoxha kërkoi përcaktimin e projekteve prioritare, afateve të realizueshme dhe një mekanizmi të qëndrueshëm për monitorimin e punimeve. “Do të bëjmë pjesën tonë për ta kthyer Korridorin VIII nga vizion në realitet”, deklaroi ai në konferencën e Sofjes.