Në epokën e IA-së, Cambridge zgjedh “njerëzor” si fjalën e vitit
Fjalori i Kembrixhit ka shpallur “human”, që në shqip përkthehet “njerëzor”, Fjalën e Vitit 2026. Përzgjedhja vjen në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si njerëzit punojnë, krijojnë dhe mendojnë për veten.
Në fjalor, “njerëzor” përshkruan cilësitë, të metat dhe ndjenjat që dallojnë njerëzit nga makineritë, kafshët apo perënditë. Leksikografi Colin McIntosh thotë se përhapja e inteligjencës artificiale po e bën më të zakonshëm dallimin mes asaj që krijohet nga njeriu dhe asaj që prodhohet nga teknologjia. Edhe shtimi i shprehjeve si “i krijuar nga njeriu” pasqyron këtë prirje.
Bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, u shpreh se përparimi i IA-së po nxit reflektimin mbi kuptimin e të qenit njerëzor. Ai vlerësoi se teknologjia mund të ndihmojë në trajtimin e sëmundjeve dhe përmirësimin e arsimit, por theksoi se suksesi i saj duhet gjykuar nga përmirësimi që sjell në jetën e njerëzve.
Mes fjalëve të tjera në shqyrtim ishin “agent”, për sistemet e IA-së që kryejnë detyra komplekse me pak ndërhyrje njerëzore, dhe “analog”, që lidhet me veprimtaritë jashtë botës digjitale. Fjalori po shqyrton gjithashtu terma të përdorur në rrjetet sociale, si “aura farming” dhe “looksmaxxing”, si edhe “FOBO” — frikën se mos bëhesh i vjetruar ose i panevojshëm, përfshirë në vendin e punës.