Ku shkojnë paratë e familjeve shqiptare? Ushqimet marrin pjesën më të madhe
Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 95,227 lekë në muaj për konsum gjatë vitit 2025, rreth 2.3% më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e buxhetit vijon të shkojë për ushqime, ndërsa argëtimi dhe kultura shënuan rritjen më të madhe të shpenzimeve.
Sipas INSTAT, ushqimet dhe pijet joalkoolike përbëjnë 39.8% të shpenzimeve mujore të një familjeje, me një mesatare prej 37,859 lekësh. Brenda kësaj kategorie, pjesën kryesore e zënë perimet, mishi dhe nënproduktet, si dhe buka e drithërat.
Në total, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 72.3 miliardë lekë në muaj për konsum. Kategoria që u rrit më shumë gjatë 2025 ishte “Argëtim dhe kulturë”, me 10%, e ndjekur nga pijet dhe duhani me 5.1% dhe transporti me 5%.
Edhe shpenzimet për banesën, ujin, energjinë dhe qiranë u rritën, duke zënë 9.7% të buxhetit familjar. Ndërkohë, pesha e shpenzimeve për shëndetësinë ra nga 3.8% në 3.4%, ndërsa arsimi mbeti në 3.3%.
Diferencat mes qarqeve janë të dukshme. Tirana kryeson me 110,904 lekë shpenzime mesatare mujore për familje, ndërsa në skajin tjetër renditen Kukësi me 76,009 lekë dhe Dibra me 77,027 lekë. Korça dhe Durrësi ndodhen respektivisht në 93,381 dhe 91,992 lekë.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së shpenzimeve për argëtim e kulturë, buxheti familjar në Shqipëri vijon të dominohet nga nevojat bazë të jetesës.