Kosova shmang zgjedhjet, Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente me 81 vota

Kosova shmang zgjedhjet, Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente me 81 vota

Kosova ka zgjedhur presidenten e re në orët e fundit të afatit kushtetues. Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend dhe pas betimit deklaroi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, duke u zotuar për unitet, drejtësi dhe forcim të institucioneve.

Zgjedhja e saj erdhi pas një marrëveshjeje politike që zhbllokoi procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Kuvendi miratoi më herët ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, një prej kushteve të vendosura nga PDK për pjesëmarrjen në votimin për president.

Kundërkandidatja e Shiroka-Pulës, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, mori një votë. Me zgjedhjen e presidentes së re, Kosova shmangu një tjetër proces zgjedhor, pasi 6 tetori ishte afati i fundit për plotësimin e postit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pas betimit, Shiroka-Pula tha se mandati i saj i përket qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

“Do të jem presidente e gjithë qytetarëve”, deklaroi ajo, duke theksuar se do të punojë për një Kosovë demokratike, të sigurt dhe me orientim euroatlantik.

Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike. Ajo ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe më herët ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa ka qenë edhe deputete e Kuvendit.

Zgjedhja e saj mbyll procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit pas një periudhe të gjatë ngërçi politik, që kishte çuar edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor të vitit 2026.

Prev Post

Ku shkojnë paratë e familjeve…

Next Post

Shqipëria në vendin e 79-të…

post-bars

Leave a Comment