Shqipëria në vendin e 79-të për inovacionin, kërkimi shkencor mbetet pika e dobët

Shqipëria në vendin e 79-të për inovacionin, kërkimi shkencor mbetet pika e dobët

Shqipëria renditet e 79-ta në botë për inovacionin, me 28.3 pikë, sipas Indeksit Global të Inovacionit 2026 të WIPO. Vendi paraqitet më mirë në institucione dhe infrastrukturë, ndërsa kërkimi shkencor dhe teknologjia mbeten ndër fushat me rezultatet më të dobëta.

Pozicioni më i lartë i Shqipërisë është në shtyllën e institucioneve, ku renditet e 45-ta. Në infrastrukturë zë vendin e 52-të, me rezultate veçanërisht të forta në qëndrueshmërinë ekologjike, ku renditet e 5-ta në botë.

Shqipëria renditet gjithashtu e 14-ta për përdorimin e energjisë me karbon të ulët dhe për eficiencën energjetike. Një tjetër avantazh është te lidhjet e inovacionit, ku vendi renditet i 38-ti. Brenda kësaj fushe, zhvillimi i grupimeve të bizneseve dhe inovacionit e pozicionon Shqipërinë në vendin e 9-të në botë.

Edhe investimet e huaja direkte paraqiten si një pikë e fortë, me Shqipërinë në vendin e 15-të për flukset hyrëse të tyre.

Në anën tjetër, kapitali njerëzor dhe kërkimi mbeten një nga sfidat kryesore. Shqipëria renditet e 93-ta në këtë kategori, ndërsa për kërkimin dhe zhvillimin zë vendin e 96-të. Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim janë vetëm 0.2% e PBB-së.

Rezultati është më pozitiv në arsimin e lartë, ku Shqipëria renditet e 17-ta për regjistrimet universitare. Megjithatë, te njohuritë dhe teknologjia vendi zbret në vendin e 84-të, ndërsa eksportet e teknologjisë së lartë e rendisin në vendin e 132-të.

Në fushën e produktivitetit të punës Shqipëria renditet e 15-ta, ndërsa për produktet kreative pozicionohet në vendin e 106-të. Të dhënat tregojnë një tablo të përzier: disa tregues e nxjerrin vendin në pozicione të favorshme, por investimet e kufizuara në kërkim, zhvillim dhe teknologji vijojnë të frenojnë performancën e përgjithshme të inovacionit.

Prev Post

Kosova shmang zgjedhjet, Justina Shiroka-Pula…

Next Post

Tirana kalon mesataren e BE-së…

post-bars

Leave a Comment