Tiranë, hyrje e re nga veriu për të shmangur Kamzën, në plan edhe zgjerimi Levan-Gjirokastër
ARRSH pritet të hapë në dhjetor disa procedura për studime, projektime dhe punime në akse të rëndësishme rrugore. Gjashtë projektet kanë një fond limit të kombinuar prej rreth 681.5 milionë lekësh.
Një hyrje e re rrugore nga veriu i Tiranës është ndër projektet që Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon të çojë përpara gjatë muajit dhjetor. Bëhet fjalë për studimin dhe projektimin e një korridori që do të lidhë autostradat veriore me Unazën e Re të kryeqytetit, duke krijuar një alternativë ndaj kalimit përmes Kamzës.
Fondi limit për këtë shërbim është përcaktuar në rreth 167 milionë lekë. Projekti synon të lehtësojë qarkullimin në hyrjet ekzistuese të Tiranës, veçanërisht për automjetet që udhëtojnë nga veriu drejt kryeqytetit ose që e përdorin atë si rrugë tranziti.
Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e këtij fluksi përqendrohet në nyjen e Kamzës. Ndërtimi i një lidhjeje të re pritet të shpërndajë trafikun në disa korridore dhe të krijojë një hyrje alternative drejt unazës së kryeqytetit.
Në listën e procedurave të planifikuara është edhe studimi dhe projektimi për zgjerimin e aksit Levan-Gjirokastër. Për këtë projekt është parashikuar një fond limit prej 120 milionë lekësh. Ndërhyrjet konkrete dhe përmasat e zgjerimit do të përcaktohen gjatë fazës së projektimit.
ARRSH ka parashikuar ndërhyrje edhe në disa akse të tjera në veri të vendit. Për studimin dhe projektimin e rrugës Koplik-Razëm-Bogë-Theth është përcaktuar një fond limit prej rreth 46.1 milionë lekësh, ndërsa për aksin Kryqëzim Koman-Pukë-Fushë-Arrëz rreth 39.1 milionë lekë.
Në plan është edhe studimi dhe projektimi për rehabilitimin e rrugës Rrëshen-Burrel, me një fond limit prej 9.3 milionë lekësh.
Përveç projekteve të reja rrugore, lista përfshin edhe punime sistemimi dhe asfaltimi në rrugët në administrim të Drejtorisë së Rajonit Qendër-Lindje, Korçë. Për këtë procedurë është parashikuar një fond limit prej 200 milionë lekësh.
Në total, gjashtë procedurat e planifikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë një vlerë të përllogaritur prej rreth 681.5 milionë lekësh.