Shfryrja e zemërimit mund ta përkeqësojë situatën, ja çfarë sugjeron një studim
Një analizë e 154 studimeve tregon se të nxjerrësh inatin duke bërtitur apo duke u marrë me aktivitete intensive fizike nuk është domosdoshmërisht mënyra më e mirë për t’u qetësuar.
Kur zemërohemi, reagimi i parë mund të jetë të “shfryhemi” duke folur, bërtitur apo duke bërë aktivitet fizik. Por një analizë e gjerë e kërkimeve mbi zemërimin sugjeron se kjo qasje mund të mos e ulë aspak inatin dhe, në disa raste, mund ta shtojë atë.
Studiues nga Ohio State University analizuan 154 studime me gjithsej 10,189 pjesëmarrës dhe arritën në përfundimin se çelësi për të ulur zemërimin është zvogëlimi i aktivizimit fiziologjik të trupit.
Sipas studiuesve, ideja se zemërimi duhet “nxjerrë jashtë” për të kaluar është e ngjashme me një valvul presioni që lëshon avull. Por të dhënat nuk e mbështesin këtë teori. Përkundrazi, shfryrja mund të kthehet në përsëritje të zemërimit dhe ta mbajë trupin në gjendje tensioni.
Edhe aktiviteti fizik nuk rezulton gjithmonë zgjidhja e duhur në momentin e zemërimit. Vrapi, për shembull, mund të rrisë më tej aktivizimin fiziologjik dhe, sipas analizës, nuk është mënyra më efektive për të qetësuar inatin.
Ndryshe paraqiten aktivitetet që ndihmojnë trupin të ulë ritmin. Frymëmarrja e thellë, meditimi, relaksimi progresiv i muskujve, joga me ritëm të ngadaltë dhe një pauzë nga situata që shkaktoi zemërimin rezultuan më të dobishme.
Studiuesit vunë re gjithashtu se disa aktivitete fizike mund të kenë efekt më të mirë kur përfshijnë lojën dhe argëtimin. Pra, jo çdo lëvizje fizike ka të njëjtin ndikim në zemërim.
Gjetjet nuk nënkuptojnë se zemërimi duhet të shtypet apo të injorohet. Reflektimi mbi arsyen që shkaktoi emocionin mund të ndihmojë në përpunimin e tij. Ajo që studiuesit vënë në pikëpyetje është ideja se shpërthimi emocional apo “shfryrja” e inatit është mënyra më e mirë për ta larguar atë.
Për momentin, përfundimi i analizës është më i thjeshtë: kur zemërimi rritet, qetësimi i trupit mund të jetë më efektiv sesa ushqyerja e mëtejshme e emocionit.