Bylisi hyn në një fazë të re, 6.25 milionë euro për trashëgiminë dhe turizmin
Nisin punimet për konservimin e monumenteve dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët. Projekti i mbështetur nga BE-ja përfshin edhe investime dhe grante për komunitetin lokal.
Parku Arkeologjik Bylis-Klos ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, me një investim prej 6.25 milionë eurosh të mbështetur nga Bashkimi Europian. Projekti synon të ndërthurë ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike me zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive të reja për banorët e zonës.
Punimet u inspektuan nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, përfaqësues të AICS dhe autoritete vendore.
Një prej ndërhyrjeve kryesore është ndërtimi i një Qendre Multifunksionale të Vizitorëve, për të cilën janë parashikuar rreth 2 milionë euro. Qendra do të ketë hapësira muzeale, kërkimi dhe konservimi, duke synuar të ofrojë më shumë shërbime dhe informacion për vizitorët e parkut.
Projekti nuk kufizohet vetëm te infrastruktura dhe monumentet. Sipas ministrit Gonxhja, një pjesë e mbështetjes do t’i drejtohet drejtpërdrejt komunitetit lokal. Deri tani janë certifikuar 13 guida vendase, ndërsa 20 përfitues do të marrin mbështetje përmes granteve, me një fond prej 210 mijë eurosh.
Investimi synon të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike të Bylisit, rritjen e vizitueshmërisë së parkut dhe krijimin e një ndikimi më të drejtpërdrejtë ekonomik për komunitetin përreth.