Publik apo privat? Ja ku klasat private kanë më shumë nxënës për mësues
Të dhënat e INSTAT për vitin shkollor 2024-2025 tregojnë se raporti nxënës-mësues ndryshon ndjeshëm nga një qark në tjetrin. Ndërsa në Tiranë dhe Durrës shkollat publike kanë më shumë nxënës për mësues, në Shkodër dhe Fier situata është e kundërt.
Në Tiranë, një mësues në arsimin fillor publik ka mesatarisht 20.1 nxënës, kundrejt 14.7 nxënësve në shkollat private. Edhe në Durrës diferenca është e dukshme: 19.1 nxënës për mësues në publik dhe 14.8 në privat.
Në Korçë, dy sektorët janë pothuajse në të njëjtin nivel, me 11 nxënës për mësues në shkollat publike dhe 10.9 në ato private.
Por panorama ndryshon në Shkodër. Atje, shkollat private kanë mesatarisht 19.2 nxënës për mësues, ndërsa ato publike vetëm 10.9. Një diferencë e ngjashme vihet re edhe në Fier, ku raporti është 20.9 nxënës për mësues në privat, kundrejt 12.6 në publik.
Dallime më të moderuara mes dy sektorëve regjistrohen në Elbasan, Vlorë dhe Lezhë, duke treguar se raporti nxënës-mësues nuk ndjek të njëjtin model në të gjitha qarqet.
Ky tregues përdoret për të vlerësuar një prej aspekteve të kushteve të mësimdhënies. Një raport më i ulët mund t’i japë mësuesit më shumë mundësi për t’u kushtuar vëmendje individuale nxënësve, megjithëse numri i nxënësve në klasë nuk është i vetmi faktor që përcakton cilësinë e arsimit.