Amfiteatri i Durrësit hyn në një fazë të re restaurimi dhe kërkimesh
Amfiteatri Antik i Durrësit po i nënshtrohet një etape të re të punimeve për konservimin dhe studimin e monumentit, ndërsa interesi i vizitorëve për sitin arkeologjik vijon të rritet.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ka nisur zbatimi i Planit të Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike, një investim i ministrisë që synon ruajtjen dhe studimin e mëtejshëm të amfiteatrit.
Paralelisht, vijojnë kërkimet në kuadër të projektit italo-shqiptar “Durrësi Mesjetar – Amfiteatri”, i cili prej vitit 2018 po kontribuon në zbulimin e të dhënave të reja mbi historinë dhe zhvillimin e monumentit.
Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Gonxhja publikoi edhe shifrat e vizitorëve. Nga janari deri në gusht 2026, Amfiteatrin Antik të Durrësit e kanë vizituar 28,823 persona, rreth 16.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Gjashtë dekada pas zbulimit të tij, puna për konservimin, dokumentimin dhe studimin e një prej monumenteve më të rëndësishme arkeologjike të vendit vijon, me synim ruajtjen e tij për brezat e ardhshëm.