“Mimoza Llastica” rikthehet në ekran pas 53 vitesh, filmi klasik restaurohet në 4K
Një prej filmave më të dashur të kinemasë shqiptare për fëmijë është rikthyer në ekranin e madh, këtë herë i restauruar në teknologjinë 4K.
“Mimoza Llastica”, me regji të Xhanfize Kekos dhe skenar të Nasho Jorgaqit, u realizua në vitin 1973 dhe u shfaq për herë të parë në versionin e restauruar në ditën e fundit të Tirana International Film Festival.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një fragment nga filmi, duke bërë të ditur se restaurimi është realizuar mbi bazën e materialeve origjinale të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Në film interpretojnë Zhaklina Dhimojani, Violeta Manushi, Pavlina Mani, Teuta Doçi dhe aktorë të tjerë të njohur të kinemasë shqiptare. Muzika është realizuar nga kompozitorët Robert Radoja dhe Aleksandër Lalo.
Restaurimi është mundësuar përmes nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit “Adopto një film për restaurim” dhe është kryer nga Augustus Color në Romë, duke përdorur elementet origjinale të filmit të ruajtura në arkiv.
Vepra e Xhanfize Kekos vijon të ketë një vend të veçantë në kinemanë shqiptare për fëmijë. Historia e Mimozës, ashtu si filmat e tjerë të regjisores, ka mbetur pjesë e kujtesës së disa brezave, ndërsa rikthimi në 4K i jep publikut mundësinë ta shohë filmin me një cilësi të re teknike.