Autostrada Murriqan–Lezhë hyn në fazën e konsultimeve, projekti 40 km përgjatë Korridorit Adriatiko-Jonian

Autostrada Murriqan–Lezhë hyn në fazën e konsultimeve, projekti 40 km përgjatë Korridorit Adriatiko-Jonian

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zhvillojë në tetor konsultimet publike për projektin e autostradës Murriqan–Lezhë, një aks prej 40.3 kilometrash që do të lidhë pikën kufitare me Malin e Zi me zonën e Balldrenit.

Gjatë takimeve, banorët, pronarët e tokave, bizneset dhe grupet e tjera të interesuara do të informohen mbi gjurmën e propozuar, ndikimet mjedisore e sociale dhe masat që parashikohen për minimizimin e tyre.

Autostrada është projektuar me katër korsi, nga dy për secilin drejtim, dhe me shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë. Gjurma e re përshkon territoret e bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Lezhë dhe do të lidhet me rrjetin rrugor përmes pesë nyjeve në Murriqan, Shkodër, Vau i Dejës, Gjadër dhe Lezhë.

Për shkak të terrenit të ulët dhe rrezikut të përmbytjeve pranë lumenjve Buna dhe Drin, një pjesë e konsiderueshme e rrugës parashikohet të ndërtohet mbi argjinaturë. Projekti përfshin edhe një urë rreth 480 metra mbi lumin Buna.

Paralelisht, parashikohet rikthimi i lidhjeve lokale të rrugëve, veçanërisht atyre që përdoren për aksesin në tokat bujqësore, me qëllim ruajtjen e aksesit në pronat që mund të preken nga ndërtimi.

Konsultimet janë pjesë e procesit të përditësimit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social. Takimi i parë do të zhvillohet më 12 tetor në Këshillin Bashkiak Shkodër, ndërsa më 13 tetor konsultimet do të vijojnë në Vau i Dejës dhe Lezhë. Takimi i fundit është planifikuar më 14 tetor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë.

Prev Post

BE rishikon zgjerimin/ Më shumë…

Next Post

Amfiteatri i Durrësit hyn në…

post-bars

Leave a Comment