Aksidentet rrugore rriten me 6.2% në tetë muaj, Tirana dhe Durrësi kryesojnë
Të dhënat e INSTAT tregojnë rritje të aksidenteve në periudhën janar-gusht 2026, ndërsa Tirana dhe Durrësi shënojnë shtesat më të mëdha. Vetëm gjatë gushtit, numri i aksidenteve dhe viktimave ra krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Aksidentet rrugore në Shqipëri janë rritur me 6,2% gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga janari në gusht u regjistruan 983 aksidente, kundrejt 926 rasteve të shënuara në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur në aksidente ka shënuar rritje. Në tetë muajt e parë të këtij viti, ky tregues arriti në 1.378 persona, nga 1.306 një vit më parë, duke u rritur me rreth 5,5%.
Tirana ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e numrit të aksidenteve. Në kryeqytet u regjistruan 369 aksidente gjatë periudhës janar-gusht, nga 270 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 37%. Ndërkohë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur në aksidente në Tiranë u rrit nga 342 në 457.
Durrësi shënoi një rritje edhe më të lartë në përqindje. Aksidentet në këtë qark u shtuan nga 62 në 98, ose rreth 58% më shumë se një vit më parë. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve u rrit nga 93 në 139.
Rritje të numrit të aksidenteve pati edhe në Vlorë dhe Gjirokastër. Në Vlorë u regjistruan 92 aksidente, nga 79 në janar-gushtin e vitit 2025, ndërsa në Gjirokastër numri u rrit nga 46 në 51.
Megjithatë, jo të gjitha qarqet kanë ndjekur të njëjtën tendencë. Në Shkodër aksidentet ranë në 45, nga 75 një vit më parë, ndërsa në Korçë u regjistruan 70 raste, nga 91. Edhe Lezha shënoi ulje, nga 126 në 115 aksidente, ndërsa Fieri nga 78 në 75.
Të dhënat e gushtit paraqesin një tablo tjetër krahasuar me totalin e tetë muajve. Gjatë këtij muaji u regjistruan 139 aksidente rrugore, 12,6% më pak se 159 rastet e gushtit 2025. Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur ra, nga 229 në 191, ose rreth 16,6%.
Sipas INSTAT, 86,3% e aksidenteve të regjistruara gjatë gushtit erdhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç kishte peshën më të madhe në numrin e aksidenteve, duke përbërë 31,7% të totalit.
Për sa i përket ditëve të javës, e hëna ishte dita me më shumë aksidente gjatë gushtit, me 18% të totalit. E mërkura dhe e premtja kishin peshën më të ulët, me nga 11,5%.
Orari 19:00-24:00 rezultoi periudha me përqendrimin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 20,1% të rasteve të regjistruara gjatë muajit.
INSTAT sqaron se të dhënat për personat e vdekur nga aksidentet rrugore për muajin e fundit janë paraprake dhe mund të rishikohen.