Formula 1 ndryshon hartën e sezonit 2027, rikthehen Portugalia dhe Turqia
Nëntë muaj garash, 24 Çmime të Mëdha dhe 10 fundjava Sprint: Formula 1 ka publikuar kalendarin e sezonit 2027, me disa ndryshime të rëndësishme në itinerarin e kampionatit.
Sezoni i ri do të nisë në Bahrein më 14 mars dhe do të përfundojë në Abu Dhabi më 12 dhjetor. Në total, garat do të zhvillohen në 22 shtete dhe pesë kontinente.
Risia kryesore është rikthimi i Portugalisë dhe Turqisë. Portimao do të rikthehet në kalendar më 18-20 qershor, ndërsa Stambolli do të presë garën më 1-3 tetor. Në të njëjtën kohë, Barcelona dhe Zandvoort nuk janë pjesë e kalendarit të publikuar për vitin 2027.
Një tjetër ndryshim lidhet me formatin Sprint. Numri i fundjavave me gara Sprint do të rritet nga gjashtë në dhjetë, ndërsa në këtë format do të përfshihen edhe Monako dhe Monza.
Pas hapjes në Bahrein, kampionati do të vijojë me Arabinë Saudite, Australinë, Japoninë dhe Kinën. Në pranverë do të zhvillohen edhe garat në Miami dhe Montreal, përpara se Formula 1 të hyjë në fazën evropiane me Monakon, Portugalinë, Silverstonin, Austrinë dhe Spa-n.
Në pjesën e dytë të sezonit, cirkuiti do të kalojë nga Monza në Madrid, Baku, Stamboll dhe Singapor, përpara rikthimit në Amerikën e Veriut dhe Jugut. Kalendari përfshin gara në Ostin, Meksikë, São Paulo dhe Las Vegas, ndërsa dy ndalesat e fundit do të jenë në Katar dhe Abu Dhabi.
Testet parasezonale janë planifikuar në Bahrein, nga 24 deri më 27 shkurt. Megjithatë, zhvillimet në Lindjen e Mesme mbeten një faktor që mund të ndikojë në organizimin e garave, sidomos pas ndryshimeve që prekën kalendarin e vitit 2026.
Presidenti i Formula 1, Stefano Domenikali, e cilësoi kalendarin një kombinim të pistave tradicionale dhe destinacioneve të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, theksoi shtrirjen globale të kampionatit dhe zgjerimin e formatit Sprint.