Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Vdiq më 7 shkurt 2006/ Ibrahim Kodra, piktori botëror që nuk e harroi se ishte shqiptar

Vdiq më 7 shkurt 2006/ Ibrahim Kodra, piktori botëror që nuk e harroi se ishte shqiptar

Ai njihet si një nga piktorët më të rëndësishëm të Evropës. Mik me të madhin Picaso dhe i cilësuar si post kubisti i fundit i Europës. Mbi të gjitha ishte shqiptar. “Kodra është zanafilla e një qytetërimi të ri”, vlerësoi poeti i madh francez Pol Elyar, i befasuar nga veprat e Kodrës.

Ibrahim Kodra, Istanbul, Lithograph, 1975

Ibrahim Kodra u lind më 22 prill të vitin 1918 në Ishëm të Durrësit. I mbetur jetim që në moshën 3-vjeçare, Ibrahimi detyrohet në moshën 8-vjeçare të largohet nga shtëpia prindërore në fshatin Likmetaj të Ishmit, pasi nuk e duronte dot njerkën e tij. Babai i tij, Murati, ishte kapiten i një anijeje tregtare, e meqë ishte gjithnjë në udhëtim, ai kalonte shumë kohë me njerkën e tij.

Ndërsa largohet nga familja në moshë shumë të vogël, i vetëm e pa përkrahje, ai përfundon në Mamurras ku shërbente si kamarier. Në këtë qytet njihet me një tregtar durrsak, i cili kishte një djalë që quhej Ibrahim. Tregtari e merr me vete në Durrës dhe e fut në shkollë së bashku me adashin e tij. Pikërisht në këto vite të para nis të shfaqet e të bjerë në sy talenti i Ibrahimit në pikturë. Pas shkollës, Ibrahimi pikturonte për një dyqanxhi që tregtonte mobilje italiane.

Në moshën 20-vjeçare fiton bursën e studimit dhe niset për në Milano, ku regjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras. Nën udhëheqjen e profesorit të tij dhe një prej piktorëve më të mëdhenj futuristë italianë, Carlo Carra, piktori shqiptar do të krijonte origjinalitetin e tij artistik që shfaqet në etapa të ndryshme të krijimtarisë së tij, kur ai rroku rryma të ndryshme si abstraksionizmin, artin informal, surrealizmin, kubizmin, periudhën fondomarino e për ta mbyllur me atë që përfaqëson Kodrën origjinal, Totemin kodrian. Temat historike e simbolike që gjenden në figurat e tablove “Muzikantët”, “Arkeologu”, “Shqipëria fantastike”, “Qyteti ideal”, kanë krijuar sistemin e tij të mëvonshëm, një zbulim “high-tech” në pikturën moderne, një eksplorim në sistemin e tij robotik. Gjatë periudhës që ishte në Itali, pikërisht në vitin 1948 ai krijon një marrëdhënie shumë të veçantë me piktorin e madh Pablo Picaso nga i cili edhe u ndikua e frymëzua për shumë nga krijmit e tij. Të dy së bashku ata kryen edhe një studim dhe hulumtim të rëndësishëm artistik. Mediat dhe kritika e kohës e emërtuan Ibrahim Kodrën si “Post Kubistin e Fundit të Europës”. Prishtina ishte e para që do të zbulonte famën e tij evropiane. Piktori që kishte miqësi me artistët më të mëdhenj të epokës si Picasso, Eluard, Heminguej, Montale, Moravia etj nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare. Nëna e tij dhe Shqipëria ishin gjërat më të shtrenjta për të. Vizatimet e para për nënën i ruajti gjatë gjithë jetës, ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në shtratin e spitalit, ku mbylli sytë.

Kodra, u nda nga jeta me 7 shkurt 2006 në Itali në moshën 88-vjeçare. Tre muajt e fundit i kaloi duke luftuar me vdekjen në spital, dhe tri javët e fundit në shtëpinë e tij në Milano. Pasuria artistike që ka lënë pas në pikturë Ibrahim Kodra janë rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara./fjala.al

Prev Post

Shqiptari Dritan Abazoviq gati për ta bërë historinë

Next Post

Kisha 500-vjeçare armene Surp Sargis në Diyarbakır të Turqisë do të restaurohet

post-bars

Leave a Comment